Arrestohet 38-vjeçari që akuzohet se ndezi dy hërë zjarrin në Nartë

Arrestohet 38-vjeçari që akuzohet se ndezi dy hërë zjarrin në Nartë

Policia e Vlorës ka arrestuar një 38-vjeçar pasi e akuzon se është përgjegjës zjarrin që përfshiu ditët e fundit zonën e Nartës në Vlorë.

Në një njoftim për mediat, policia bën me dije se 38-vjeçari në dy raste të ndryshme, konkretisht në datë 30.06.2025, rreth orës 20:50, dhe sërish në datë 01.07.2025, rreth orës 12:00, ka ndezur zjarr në mënyrë të përsëritur në një grumbull mbetjesh urbane, në vendin e quajtur “Pika e grumbullimit të inerteve, Jalli, Nartë”, duke shkaktuar ndotje të ajrit dhe të mjedisit, si dhe duke rrezikuar me përhapjen e flakëve qendrën e banuar përreth dhe pyllin e Sodës, një zonë kjo e mbrojtur.

Policia sqaron se “materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprën penale “Ndotja e ajrit”, parashikuar nga neni 201 i Kodit Penal”.

Ndërkohë blutë e Vlorës apelojnë “për kujdes maksimal në çdo veprim që mund të rrezikojë mjedisin, jetën e qytetarëve apo pronën publike dhe private, pasi do të përballen me ligjin si dhe fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast zjarrvënieje apo paligjshmërie, në numrin 112, duke garantuar anonimatin dhe reagim të menjëhershëm”.

Teksa për këtë vatër zjarri është gjetur autori i dyshuar ende nuk ka veprime konkrete për të zbuluar autorin e zjarrvënies në fshatin Hoshtimë, ku u rrezikuan dhe banesat.