Në Himarë, një nga zonat më të bukura bregdetare të Shqipërisë, është miratuar së fundmi një plan i ri urbanistik që ka shkaktuar shqetësim të madh tek banorët dhe ekspertët e mjedisit. Plani, i drejtuar nga kryetari i Bashkisë, Vangjel Tavo, parashikon rritjen e lartësisë së ndërtimeve, zgjerimin masiv të zonave të ndërtueshme dhe transformimin e të gjithë territorit urban.

Palasa, Dhërmiu, Gjileka, Himara, Livadhi, Qeparoi, Borshi me planin e ri do të kenë ndërtime më të larta, por edhe zgjerim masiv të zonave ku mund të ndërtohet.

Vetëm për zonën e Lukovës, janë paraqitur 230 kërkesa për ndryshime, nga të cilat 125 janë pranuar për shqyrtim.

Plani i ri lejon ndërtimin e objekteve shumëkatëshe në zonat që deri tani kanë qenë të kufizuara për shkak të statusit të tyre natyror dhe turistik.

Ky ndryshim drastik i destinacionit të territorit pritet të sjellë një valë ndërtimesh intensive përgjatë bregdetit, duke reduktuar ndjeshëm hapësirat e paprekura natyrore dhe plazhet karakteristike të Himarës.

Miratimi i këtij plani ka ngjallur reagime nga një pjesë e banorëve vendas, ambientalistëve dhe ekspertëve të urbanistikës.
Pavarësisht justifikimeve ekonomike, ende mungon transparenca e plotë mbi mënyrën e implementimit të këtij plani. Nuk janë bërë publike raportet e ndikimit mjedisor dhe nuk dihet nëse janë përfshirë konsultimet me komunitetin lokal përpara miratimit të këtyre ndryshimeve të rëndësishme.


