Policia e Shtetit ka ndërmarrë një aksion në kuadër të operacionit për garantimin e rendit dhe qetësisë gjatë sezonit turistik në qarkun e Vlorës. Në fokus këtë herë ishte një lokal në Ksamil, i cili u kap në shkelje të disa rregullave ligjore.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë konstatuan se muzika në ambientet e lokalit tejkalonte kufijtë e lejuar të zhurmës. Për këtë arsye, ndaj pronarit të biznesit, shtetasit A. M., 33 vjeç, u vendos një gjobë administrative për ndotje akustike.
Gjatë kontrollit u zbuluan edhe shkelje të tjera, përfshirë punësimin e personave pa deklarim në organet tatimore, si dhe ushtrimin e aktivitetit ekonomik pa lëshim të kuponëve fiskalë. Për këto shkelje, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal ndaj pronarit.
Policia u bën thirrje të gjithë bizneseve që të respektojnë legjislacionin në fuqi për zhurmat, punësimin dhe detyrimet fiskale, duke paralajmëruar se kontrollet do të vijojnë gjatë gjithë sezonit.