Dy problematikat kryesore të sezonit turistik në Sarandë, nisin përgatitjet

Dy problematikat kryesore të sezonit turistik në Sarandë, nisin përgatitjet

Dje në Sarandë u zhvillua mbledhja e Task-Forcës për sezonin turistik veror, e drejtuar nga Prefekti i Qarkut Vlorë, Plator Nesturi. Në këtë takim morën pjesë përfaqësues nga institucione të ndryshme për të koordinuar masat dhe adresuar sfidat që sjell sezoni turistik. Objektivi kryesor ishte sigurimi i një sezoni të sigurt, të organizuar dhe mikpritës për të gjithë vizitorët, vendas dhe të huaj.

Prefekti Nesturi theksoi se sezoni pritet të sjellë sfida të shumta, për shkak të flukseve të larta turistike në të gjithë qarkun e Vlorës. Ai theksoi se synimi nuk është vetëm përballimi i këtyre sfidave, por edhe përmirësimi i cilësisë së shërbimit turistik.

Një nga shqetësimet kryesore të operatorëve turistikë ishte mosfunksionimi 24-orësh i pikave kufitare të Qafë Botës dhe Portit të Sarandës me Korfuzin. Ata kërkuan ndërhyrjen e institucioneve shtetërore për të biseduar me palën greke për të mundësuar hapjen e këtyre pikave gjatë natës, pasi aktualisht ato mbyllen gjatë orëve të natës nga pala greke. Kryetari i Bashkisë Sarandë ka diskutuar këtë çështje edhe me homologët e tij në Igumenicë, Pargë dhe Kasiopi në Korfuz.

Një tjetër problematikë e përmendur ishte trafiku i rënduar në Sarandë dhe Ksamili gjatë sezonit veror, raporton SarandaWeb. Komisari i Policisë Sarandë, Gëzim Bashllari, nënvizoi se janë nxjerrë mësime nga vitet e kaluara dhe janë përgatitur masa për përballimin e këtij problemi.

Në përfundim të mbledhjes, kryetari i bashkisë Oltion Çaçi shprehu besimin se me angazhimin e të gjitha institucioneve, sezoni turistik në Sarandë do të jetë i suksesshëm dhe pa probleme.