Bashkia Vlorë do të hapë zyrtarisht sezonin turistik këtë të shtunë. Si për çdo event tjetër, edhe këtë herë autoritetet kanë menduar që të shpenzojnë shuma të mëdha parash, ku në programin festiv parashikohet një koncert dhe shumë aktivitete të tjera.
Kreu i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha, në një deklaratë për mediat pohoi se koncerti do të mbahet në lungomare, ku do të marrin pjesë këngëtarët më të njohur.
Nga Soni Malaj deri te Ledri Vula, e Ylli Limani, bashkia ka zgjedhur që në koncert të jenë këngëtarët më të shtrenjtë që performojnë jo gjithmonë live.
“Jemi gati për të çelur sezonin turistik 2025. Do të jenë shumë artistë të mirënjohur më 17 dhe 18 maj. Do të kemi edhe shumë aktivitete të tjera. Do kemi edhe panaire. Festojmë të gjithë së bashku”, pohoi Dredha për mediat.
Por teksa në Vlorë çdo vit shtohen turistët, bashkia është ende në hartim të masave se si mund të mirëpriten vizitorët e qytetit.
Dredha deklaroi se do merren disa nisma për përmirësimin e qytetit, por ende duket se nuk ka një plan konkret. Ai tha se po punohet që të ketë më tepër parkime publike, përmirësim të nivelit të shërbimeve, menaxhim të duhur të mbetjeve urbane dhe një qytet më të pastër, por deri tani asgjë nuk duket në horizont.