Në datën 19 nëntor Bashkia Vlorë hapi procedurat e një tenderi për akomodimin e disa zyrtarëve të saj dhe këngëtarëve të ansamblit “Çipini”, të cilët po marrin pjesë në një aktivitet që zhvillon Ambasada e Shqipërisë në Vjenë me rastin e festave të 28-29 nëntorit.
Sipas dokumenteve të publikuara në faqen e Agjencisë së Prokurimeve Publike, tenderi është publikuar në datën 19 nëntor, hapja ishte në datën 20 dhe fituesi do është përzgjedhur në datën 21 nëntor në orën 08:00.
Bashkia Vlorë ishte e interesuar për “9 dhoma double twin bed për dy netë”, “9 dhoma triple twin bed për dy netë” dhe “9 dhoma double standartd bed për dy netë”.
“Operatori ekonomik i renditur i pari, përpara se të shpallet fitues, duhet të dorëzojë nëpërmjet sistemit të prokurimit elektronik, dokumentet si më poshtë: Rezervimin e akomodimit. Akomodimi do të jetë për Grupin Çipini, përfaqësuesit e Bashkisë, gazetar”, citohet në dokumentin e dorëzuar nga Bashkia Vlorë, ku totali i personave të akomoduar është 23.
Pavarësisht se autoriteti kujdeset që të specifikojë sa më shumë ndarjen e dhomave, problemi qëndron tek matematike. 23 është numri i udhëtarëve, por numri i shtretërve të kërkuar rezulton më i lartë.
Po ashtu specifikohet se“Hotelet duhet të jenë sa më afër Akademisë Diplomatike të Vjenës për të lehtësuar transportin dhe qasjen e pjesëmarrësve në aktivitete. Me një rreze prej 2 km. Hotelet duhet të jenë në gjendje të akomodojnë numrin e përcaktuar të pjesëmarrësve me ndarjen e dhomave siç është specifikuar më sipër”.
Bashkia Vlorë kujdeset edhe më shumë për stafin që do t’i përfaqësojë në Vjenë, ku sipas dokumenteve të tenderit kërkohet që hoteli të jetë me mëngjes, internet dhe “komoditetit për një qëndrim të këndshëm dhe të sigurt për të gjithë pjesëmarrësi”.
Kujdesi i shtuar për rehatinë e delegatëve, duket se ka lënë në plan të dytë aspektin ligjor të kësaj kërkese për ofertë. Fituesi sipas dokumenteve të tenderit është shpallur në datën 21 dhe udhëtimi do të jetë po atë ditë, pasi akomodimi në hotel është për datat 21 dhe 22 nëntor.
Legjislacioni shqiptar siguron një garë të barabartë për të gjitha kompanitë që garojnë, ku pas shpalljes së fituesit lind e drejta për ankim të kompanive që pretendojnë për parregullsi.
Fitues i tenderit është shpallur kompania “TRAVEL INTERNATIONAL SERVICE ALBANIA & TOURS”, ku ka ofruar biletat e avionit dhe akomodimin në hotel për vlerën 480,000.00 Lekë. Ndërsa fondi limit ka qenë 567,000.00 Lekë.