Dhuna në protestë | Politika bëhet bashkë mediat sociale, mesazhe në mbrojtje të qytetarëve

Dhuna në protestë | Politika bëhet bashkë mediat sociale, mesazhe në mbrojtje të qytetarëve

Dhuna ndaj protestuesve në Zvërnec ka bërë bashkë politikën shqiptare. Deputetët, kryesisht të Vlorës, kanë dënuar dhunën dhe u kanë dal në krah banorëve.

Deputeti socialist Ardit Bido kërkon që t’u hiqet licenca kompanive privatë të cilat mendojnë se janë mbi ligjin.

“Arrestimi i personit që ushtroi dhune ndaj protestuesve në Zvërnec është për t’u përshëndetur. Po aq për t’u përshëndetur është edhe vendimi për të hetuar të gjithë zinxhirin komandues të Policisë Vlorë. Shteti serioz nuk mbulon askënd, as privatin, as veten.

Tani hetimi duhet të shkojë deri në fund. Dhe kur të konfirmohet ajo që pamjet tregojnë qartë, pra se kompania e sigurisë ka tejkaluar kompetencat dhe ka ushtruar forcë në kundërshtim me ligjin, duhet të merren masat më të forta që parashikon ligji, deri në heqjen e licencës. Në Shqipëri nuk mund të privatizohet forca. Shteti ka vetëm një autoritet”, shkruan ai.

Ndërkohë deputetja tjetër e qarkut të Vlorës, Briseida Çakërri shprehet se ngjarja e Zvërnecit, nuk pasqyron standardet dhe vlerat që duhet të karakterizojnë një shoqëri demokratike.

“Pamjet e personave të maskuar që përplasen dhe ushtrojnë dhunë ndaj protestuesve janë një hije e rëndë mbi parimet e shtetit të së drejtës. Autoriteti i ligjit nuk mund të zëvendësohet nga askush dhe rendi publik nuk mund të delegohet jashtë institucioneve që e kanë këtë përgjegjësi.

Shqipëria ka nevojë për investime, zhvillim dhe projekte që krijojnë mirëqenie. Çdo investim në përputhje me ligjin duhet të realizohet. Por po aq e rëndësishme është që ligji të mbetet busulla që orienton çdo proces dhe çdo vendimmarrje”, shkruan ndër të tjera ajo.

Dhuna është dënuar nga forcat e reja politike dhe nga deputetët demokrat. Ina Zhupa, deputete e qarkut Vlorë shkruan në mediat sociale se dhuna ndaj protestuesve dhe sulmi ndaj mjedisit janë dy anë të së njëjtës mendësi: asgjësimi i interesit publik për përfitimin e një pakice.

“Banditë të paprekshëm rrëmbejnë, godasin dhe dhunojnë protestues, ndërsa policia bën sehir, e paaftë te ngrihet në nivelin e detyrës. Kërkesa e faljes nuk zgjidh asgjë, kur duhet ishin shpërndarë minimalisht emrat e dhunuesve të cilët të ishin ndërkohë në pranga për aktin e tyre.

Zvërneci nuk ka nevojë për betonizim që të zhvillojë turizmin. Përkundrazi, vlera e tij më e madhe është natyra e paprekur, biodiversiteti, peizazhi unik dhe identiteti që e bën të veçantë jo vetëm për Vlorën, por për gjithë Shqipërinë.

E vetmja mënyrë që Zvërneci dhe çdo park kombëtar t’i shërbejnë zhvillimit afatgjatë të turizmit është ruajtja në gjendjen aktuale, mbrojtja e natyrës dhe ndalimi i ndërtimeve që shkatërrojnë atë që nuk mund të rikthehet më”, shkruan Zhupa.

Reagime ka pasur edhe nga deputetë të tjerë si Belind Këlloçi, Besart Xhaferri, Agron Shehaj dhe politikanët Arlind Qori dhe Adriatik Lapaj.