41 organizata mjedisore kanë dalë me një deklaratë të përbashkët dhe kërkojnë pezullimin e çdo nisme ndërtimi në Zonën e Mbrojtur Pishë Poro-Nartë. Sipas organizatave mjedisore ndalimi i ndërtimit duhet të bëhet për shkak të rrezikut ndaj llojeve të mbrojtura të jetës së egër dhe trashëgimisë natyrore e kulturore të zonës.
Deklarata e përbashkët, e firmosur nga 41 organizata mjedisore vendase dhe ndërkombëtare, është në formën e një letre të hapur e cila ka mbërritur në zyrën e Kryeministrit Edi Rama, ministrit të Mjedisit, Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.

“Peizazhi i Mbrojtur Pishë Poro–Nartë përfaqëson një nga ekosistemet më të rëndësishme bregdetare në Shqipëri dhe në rajon. Përveçse një Zonë e Mbrojtur, ajo është njëkohësisht Zonë Emerald, Zonë e Rëndësishme për Shpendët (IBA1), Zonë Kyçe e Biodiversitetit (KBA2) dhe pjesë e Rrugës Adriatike të Migrimit (Adriatic Flyway). Me rreth 14 kilometra vijë bregdetare natyrore, dunat ranore, pyjet me pishë dhe lagunën e Nartës e kriporen e Vlorës, kjo zonë është habitat kritik për qindra specie, përfshirë këtu rreth 250 specie të shpendëve të egër shtegtarë me rëndësi ndërkombëtare. Ajo ofron shërbime të pazëvendësueshme ekosistemike dhe është pjesë e rrjeteve të rëndësishme të mbrojtjes së trashëgimisë natyrore dhe historike”, thuhet në deklaratë.

Më tej në dokument citohet se “në këtë zonë po kryhen ndërhyrje të rënda me mjete të mekanizuara, të cilat po rezultojnë në degradimin dhe fragmentimin e habitateve natyrore pyjore dhe të dunave ranore, në humbjen e menjëhershme të vegjetacionit natyror dhe të strukturës ekologjike, si dhe në rrezikimin serioz të ekuilibrit ekologjik të ekosistemit dhe të specieve të mbrojtura e të rrezikuara”.
Sipas organizatave mjedisore ndërtimi në peizazhin e mbrojtur mbart shumë probleme, pasi është cenuar statusi i Zonës së Mbrojtur dhe ka shkelje të legjislacionit. Po ashtu sipas tyre nuk janë respektuar procedurat për transparencë, konsultim publik dhe vlerësim të ndikimit në mjedis.
Në fund 41 organizatat mjedisore shpalosin edhe kërkesat e tyre, ku përveç ndalimit të punimeve apelojnë për transparencë.
“Në këtë kuadër, shprehim kërkesën tonë për: Ndalimin e menjëhershëm të çdo ndërhyrjeje që po dëmton Zonën e Mbrojtur Pishë Poro–Nartë. Transparencë të plotë publike mbi çdo projekt, leje ndërtimi apo plan zhvillimi të lidhur me këtë territor. Verifikim të pavarur dhe të plotë ligjor mbi të gjitha lejet dhe aktivitetet e zhvilluara apo të planifikuara në zonë. Respektim rigoroz të procedurave të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis kumulativ dhe të konsultimit publik, sipas legjislacionit në fuqi. Ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet ligjzbatuese për ndalimin e çdo aktiviteti të paligjshëm”, përfundon deklarata.

