Ura e Drashovicës drejt shembjes, banorët: Po dëmtohet nga erozioni dhe mjetet e tonazhit të rëndë

Ura e Drashovicës drejt shembjes, banorët: Po dëmtohet nga erozioni dhe mjetet e tonazhit të rëndë

Ura historike e Drashovicë rrezikon që të shembet. E njohur si porta e Labërisë, kjo urë prej vitesh ka degraduar dhe rrezikon që të lë të izoluar fshatin.

Sipas informacioneve që japin banorët, por edhe nga vëzhgimi në terren, kjo urë ka pësuar dëmtime të shumta si në këmbët mbajtëse të saj por edhe në bazament.

Banorët e Drashovicës tregojnë se ura është dëmtuar si rrjedhojë e kalimit në të të mjeteve të tonazhit të rënd, mbi normën e lejuar që mund të mbajë kjo urë, por edhe nga gërryerja e shtratit të lumit Shushica.

Sipas banorëve ankesat janë bërë prej vitesh në bashki, por ende nuk kanë marrë përgjigje pozitive për një projekt që mund ta rehabilitojë këtë urë.

Ndërkohë që kjo urë rrezikon të shembet dhe mund të izolohet fshati Drashovicë me qindra banorë, pak kilometra më tej në Vodicë, bashkia po ndërton një urë me një fond prej 1 milion Eurosh që u shërben pak banorëve.

Kjo urë kërkon ndërhyrje, pasi këmbët e saj po vijojnë të gërryhen dhe rrezikon që të shemben dita-ditës.