Komiteti i Menaxhimit të Sezonit Turistik zhvilloi këtë të enjte një mbledhje për të diskutuar për sfidat e sezonit turistik të vitit 2026. Prefektja e Vlorës, Evis Allushi, pohoi se kjo mbledhje kishte si qëllim rritjen e bashkëpunimit mes institucioneve për menaxhimin e sezonit veror. Ajo theksoi se çdo institucion duhet të përmbushë detyrat që ka, pasi do të jetë në monitorim të vazhdueshëm.
“Në cilësinë e Kryetares së Komitetit Rajonal të Zhvillimit të Turizmit për Qarkun Vlorë, drejtova sot mbledhjen e këtij Komiteti, me prezencën edhe të zv.ministres së Turizmit, Marinela Prifti.
Përgatitja e sezonit turistik 2026 është një proces i rëndësishëm për bashkitë e Qarkut të Vlorës, të cilat mbajnë një përgjegjësi kyçe, veçanërisht në drejtim të pastrimit, menaxhimit të mbetjeve, organizimit të hapësirave publike, parkimeve dhe garantimit të rendit në zonat turistike.
Njëkohësisht, çdo institucion duhet të ketë marrë masat përkatëse sipas detyrave që ka, si për sigurinë dhe menaxhimin e trafikut, sigurinë ushqimore, ndalimin e ndërtimeve pa leje, menaxhimin e vijës bregdetare, luftën kundër informalitetit dhe mbrojtjen e mjedisit”, shkroi në një postim në mediat sociale Allushi.
Por teksa krerët e tjerë të institucioneve që ishin të pranishëm në këtë takim bënë një panoramë me nota pozivitive për sezonin që është në prag, Ervis Hoxha, përfaqësues i turoperatorëve dhe kryetar i Shoqatës së Anijeve Turistike ngriti disa shqetësime.
Hoxha deklaroi se problematikat në sezonin turistik janë të shumta, pasi sipas tij turoperatorët nuk kanë ende asnjë informacion se ku do të qëndrojnë anijet turistike dhe ku do të operojnë këtë vit. Problem në këtë sezon turistik mbetet edhe furnizimi me ujë dhe energjia elektrike.

