Kantieri i ndërtimit “Lungomare 4”, parashikohet që të përfundojë në 15 Maj për të qenë gati për sezonin turistik. Por teksa puna për këtë shëtitore është drejt fundit, duket se problemi i parkimit nuk ka marrë zgjidhje.
Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, pohoi se “Lungomare 4” është rreth 500 metrash dhe parashikohet ndërtimi i një shëtitoreje me gjerësi rreth 7 metra, si dhe një piste biçikletash prej 2 metrash.
“Këtu jemi në kantierin e Lungomares 4, që është vazhdimi në krahun perëndimor të Lungomares. Është një projekt fillestar me një gjatësi rreth 500 m linear, i cili parashikon shëtitore me gjerësi rreth 7 metra, ashtu si edhe një pistë për biçikleta prej 2 metra.
Projekti gjithashtu parashikon edhe sisteminin e rërës. Janë bërë të gjitha punimet nëntokësore, punimet e betonit dhe sistemet e vaditjes. Sistemi i ndriçimit vihet më pas. Synimi është që në 15 maj kjo pjesë e shëtitores të jetë mbyllur e sistemuar në mënyrë që për sezonin turistik të jetë e gatshme për t’u shfrytëzuar nga qytetarët e Vlorës dhe nga turistët gjithashtu. Kjo është edhe një fazë e katërt le të themi, që do vazhdojë dhe në vijim, duke bërë praktikisht, gjithë Lungomarën që lidhet me pjesën tjetër”, tha Agolli.
Ky projekt parashikon edhe ndërtimin e 250 vendeve parkimi, por gjatë inspektimit kreu i qeverisë ka kërkuar që kapaciteti të shtohet. Shqetësimi për mungesën e parkimeve është ngritur disa herë në Gjurmon.al, ku në verë kjo problematikë është më e shtuar.
Ndërkohë është premtuar prej vitesh edhe një vendparkim në zonën e Skelës, por puna as në këtë kantier nuk ka nisur.

