Disa kazanë të rinj për mbetjet urbane janë reklamuar nga bashkia Vlorë si një investim që do të zgjidhë problemin e pastërtisë në qytet. Kryetarja e Bashkisë Vlorë, Bruna Mersini, me anë të një video në mediat sociale njofton vendosjen e katër kazanëve.
“Standardet që po ndryshojnë ditë pas dite”, shkruan ajo krahas postimit të videos. Por qytetarët duket se nuk janë të kënaqur me këtë investim nga bashkia, pasi dhjetëra persona kanë komentuar duke treguar se gjendja e mbetjeve në Vlorë lë shumë për të dëshiruar.
“Pastro qytetin leri fotot se qyteti nuk është rruga VLORË SKELË por çdo lagje e rrugicë se është kthyer në landëfill çdo lagje”, shkruan një qytetar poshtë videos së kryebashkiakes.

“Ku i gjete standartet ti moj, apo se na bere kazanet e llozhurave me ngjyra. Leri filmat dhe bej detyren qe te takon ashtu si duhet. Vlora nuk eshte vetem anes, detit. Po bene prapagande”, shkruan një tjetër qytetar.
Por këto dy komente nuk janë të vetmet, pasi dhjetëra banorë kanë denoncuar edhe në Gjurmon.al problematikën.
Me anë të fotove dhe videove, qytetarët por edhe vëzhgimi i Gjurmon.al ka nxjerr në pah këtë problem që vijon prej vitesh. Kazanët e mbetjeve janë të tejmbushur, por plehra gjen dhe reth tyre.

