“Na rrezikohet jeta, s’kemi kushte!“, shoferët e autobusëve dalin në protestë dhe kundërshtojnë vendqëndrimin e ri

“Na rrezikohet jeta, s’kemi kushte!“, shoferët e autobusëve dalin në protestë dhe kundërshtojnë vendqëndrimin e ri

Një ditë pasi Bashkia Vlorë njoftoi arritjen e një marrëveshje bashkëpunimi me shoferët e autobusëve interurban, këta të fundit kanë dalë në protestë. Mëngjesi i kësaj të hëne nuk ishte i qetë për qytetarët e Vlorës pasi janë zgjuar nga boritë e autobusëve, që janë vendosur tashmë me vendim të Këshillit Bashkiak në hyrje të qytetit.

Në shenjë kundërshtimi me vendimin e bashkisë për t’i stacionuar në hyrje të qytetit, por pa asnjë kusht minimal për një terminal autobusësh, shoferët kanë ndërmarrë një protestë paqësore.

Ata janë shprehur se hapësira e dedikuar për ta nuk plotëson asnjë kusht për ushtrimin normal të aktivitetit dhe krijon vështirësi për drejtuesit e autobusëve dhe pasagjerët.

“Jam Françesko Jonuzaj, përfaqësues i shoqërisë interurbane. Sot jemi për stacionin që na ka caktuar bashkia te rruga që lidhet me burgun. Nuk jemi dakord, s’kemi bërë asnjë marrëveshje me bashkinë. Këtu s’plotësohet asnjë kusht, qytetari është i rrezikuar, shoferët s’kemi ku të qëndrojmë, nuk ka biletari. Ne kërkojmë një terminal”, ishte kjo deklarata e një prej përfaqësuesve të shoferëve të autobusëve.

Edhe qytetarët që ishin të pranishëm kur po zhvillohej protesta janë shprehur se nuk ka asnjë kusht, duke nisur nga vendqëndrimi për qytetarët, qendër për biletat apo tualete.

“E kemi shumë problem këtu, nuk ngarkohet. Të hap bagazhin, del një metër në rrugë dhe bëhet aksidenti. Kush mban përgjegjësi nuk e di. Në gjithë Shqipërinë ka terminale, vetëm Vlora s’ka terminal“, pohoi një prej shofërëve.

Nga ana tjetër drejtuesit e autobusëve ngritën edhe shqetësimin se vendi ku ata kanë ushtruar më parë aktivitetin është kthyer tashmë në një vend ku qëndrojnë taksitë dhe furgonat piratë të cilat ju marrin aty klientët.

Shoferët e autobusëve kanë kundërshtuar që në fillim vendimin e bashkisë, ata kanë protestuar si në vendqëndrimin e parë, por edhe gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak Vlorë. Ata kërkojnë një terminal modern me të gjitha kushtet e nevojshme dhe të mos lejohen furgonat pirat që nuk paguajnë taksat.