10 orë në bashki, Prokuroria Vlorë sekuestron dhjetëra dosje për ndarjen e plazheve

10 orë në bashki, Prokuroria Vlorë sekuestron dhjetëra dosje për ndarjen e plazheve

Një denoncim i mbërritur në Prokurorinë Vlorë ka vënë në lëvizje këtë institucion. Sipas informacioneve, mësohet se oficerët e policisë gjyqësore kanë trokitur këtë të martë në zyrat e Bashkisë Vlorë ku kanë sekuestruar disa dosje.

Mësohet se hetimet lidhen me një çështje për ndarjen e plazheve gjatë vitit 2025-2025, ku bashkia ka qënë institucioni përgjegjës për ndarjen e parcelave të vijës bregdetare gjatë sezonit veror.

Dy oficerë të policisë gjyqësore kanë qëndruar për rreth 10 orë në ambientet e Bashkisë së Vlorës, ku mësohet se kanë kontrolluar dhe sekuestruar materiale në zyrën e aseteve.

Fillimisht janë marrë dokumentacionet përkatëse, të cilat do t’i nënshtrohen verifikimeve të mëtejshme.

Oficerët e Policisë Gjyqësore pritet të rikthehen sërish në zyrën e aseteve për vijimin e veprimeve hetimore. Prokuroria e Vlorës ende nuk ka dhënë një njoftim zyrtar lidhur me çështjen.