35 vite në kërkim të një rruge. Banorët e 4 fshatrave, Mallkeq, Gërrnec, Lezhan dhe Amonicë në Bashkinë Selenicë, duket se janë harruar nga autoritetet.
Segmenti prej 10 kilometrash nga Vllahina, ku dhe është fundi i investimit, që përshkon fshatrat Mallkeq, Gërrnec, Lezhan e më tej në Amonicë, është totalisht i shkatërruar.

Gjurmon.al pas kërkesës së banorëve të kësaj zone, udhëtoi drejt këtyre fshatrave për ta parë nga afër situatën. Për të mbërritur në destinacion së pari duhet të përshkosh disa fshatra të tjerë në bashkinë Selenicë.
Sapo lë Vllahinën është një realitet tjetër. Investimet e autoriteteve kanë mbërritur deri në fshatin Vllahinë, dikur qendra e komunës.
Një tabelë tregon se panorama e një rruge që nuk mund të konsiderohet e tillë të dërgon drejt Mallkeqit, Gërrnecit, Lezhanit dhe Amonicës.

Që në hyrje të rrugës janë pranishme gropat, balta, kanalet dhe gurët e rënë nga kodrat që e vështirësojnë kalimin. Pavarësisht se i gjithë segmenti nuk shkon më shumë se 10 kilometra duhen minuta të tëra për ta përshkuar.
Mjetet që të ndjekin dhe që mund të shkëmbehesh janë të pakta. Banorët tregojnë se pak makina në ditë kalojnë në këtë rrugë, pasi fshatrat janë shpopulluar.

“Mungesa e një rruge ka detyruar banorët të largohen”, pohoi një prej tyre. Por situata fliste më shumë se fjalët e banorëve, shtëpitë ishin braktisur, vështirësia për të takiar banorë ishte e madhe, heshtje totale.
Kjo zonë duket e harruar, koha ka ngecur. Banorët shprehen se jetojnë ende me shpresë se autoritetet mund të kthejnë sytë drejt tyre dhe të investojnë në këtë segment rrugor.

