Këshilli Bashkiak miraton vendimin, tregu industrial zhvendoset, krijohen dy tregje të përkohshme

Këshilli Bashkiak miraton vendimin, tregu industrial zhvendoset, krijohen dy tregje të përkohshme
Screenshot

Këshilli Bashkiak nuk dëgjoi protestat e tregtarëve, por vendosi zhvendosjen e tregut industrial, nga zona e njohur si “Kapelja” në dy pjesë të tjera të qytetit.

Këshilli Bashkiak i Vlorës, në mbledhjen e djeshme, miratoi vendimin për krijimin e tregjeve të përkohshme ambulante si dhe autorizimin për lidhjen e kontratave të qirasë në zonat e reja ku do ushtrojnë aktivitetin mbi 100 tregtarë.

“Krijimin e një tregu të përkohshëm ambulant mesipërfaqe 520 m², në lagjen “24 Maji”, zona kadastrale nr. 8604. Krijimin e një tregu të përkohshëm ambulant në zonën industriale të Vlorës, zona kadastrale nr. 8605”, citohet në vendim.

Vendimi synon të garantojë vazhdimësinë e aktivitetit për tregtarët, gjatë periudhës së punimeve për tregun e ri. Por ankesa e tregtarëve, lidhet me faktin se nuk janë të sigurt nëse do kthehen sërish në zonën e “Kapeles” pas rivitalizimit të zonës, por edhe me mënyrën se si u larguan prej andej pasi njoftimi është bërë vetëm javën e fundit.