Zona e njohur si “Ballkoni i Vlorës” prej kohësh vuan për investime. Projekti i ndërtuar disa vite më parë nuk ka gjetur kurrë qetësi. Në fillim nisën problemet me xhamat, ku pas vendosjes u thyen nga persona të paidentifikuar nga autoritetet.
Prej kohësh “Ballkoni i Vlorës” mbeti pa xhamat për të mbrojtur turistët dhe vizitorët e shumtë vendas që të shfrytëzonin këtë zonë për foto apo video.

Pak ditë më parë Bashkia Vlorë njoftoi nisjen e punimeve për rehabilitimit të zonës. Dëshmitë e banorëve dhe vëzhgimi në terren treguan se punimet ishin lënë në mes ende pa nisur.
Të vetmet punimet që ishin kryer ishin vendosja e bazameteve prej hekuri, për të mbajtur xhamat, por punonjësit e bashkisë apo të kompanive të kontraktuara nuk ishin në zonë.
Një banor i tha Gjurmon.al se prej ditësh nuk kishte shkuar asnjë punëtor për të vijuar punimet. Sipas tij investimi është shumë i rëndësishëm pasi mungesa e xhamave mbrojtës rrezikon jetën e banorëve dhe turistët që vizitojnë këtë zonë.

