Tregtarët e tregut të madh në Vlorë, i njohur edhe si tregu industrial, vijojnë të jenë pa një përgjigje të plotë se ku do të vijojnë aktivitetin e tyre. Në të dytën ditë të protestës së tyre, tregtarët kanë hyrë me forcë në ambientet e bashkisë, por nuk janë pritur këtë paradite nga kryetarja e bashkisë, Bruna Mersini.
Tregtarët kanë thënë se takimi i një dite më parë me kryetaren e bashkisë nuk ishte i frytshëm, ndaj kërkuan sërish që të komunikonin.
Tregtarët u pritën nga nënkryetarja e bashkisë Irena Toshkallari dhe mësohet se pas diskutimit me të, protesta u mbyll përkohësisht. Grupi i tregtarëve deklaruan se do të qëndrojnë në tregun aktual deri në momentin që do t’u ofrohet një vend tjetër për ushtrimin e aktivitetit të tyre, duke arritur një fitore të përkohshme.
Protesta e tregtarëve u shoqërua me tensione, pasi menjëherësi pasi arritën që të hynin në ambientet e bashkisë shkuan dhe forcat e rendit.
Tregtarët e tregut të madh në Vlorë kanë marrë një njoftim tre ditë më parë se duhet të spostoheshin, pasi bashkia kërkon që të rivitalizojë zonën. Por tregtarët pohojnë se nuk u është dhënë alternativë se ku do të shkojnë, përgjigje që nuk e jep as bashkia.

