Tregtarët e Vlorës në protestë, bashkia u jep tre ditë kohë që të largohen por pa alternativë ku të shkojnë

Tregtarët e Vlorës në protestë, bashkia u jep tre ditë kohë që të largohen por pa alternativë ku të shkojnë
Tregtarët në Vlorë në protestë

Tregtarët e Tregut Industrial të Vlorës kanë zhvilluar një protestë mbrëmjen e së hënës, pasi janë njoftuar nga Bashkia Vlorë se kanë vetëm tre ditë kohë për t’u zhvendosur nga ambientet e tyre të punës.

Sipas informacioneve bëhet me dije se zhvendosja e tregtarëve bëhet lidhur me një vendim të bashkisë për të investuar në zonën ku sot është tregu industrial. Por tregtarët pohojnë se janë njoftuar në momentet e fundit dhe nuk u jepet alternativë ku të shkojnë.

Nga ana tjetër tregtarët shprehin edhe mosbesimin që investimi mund të kryhet në kohë dhe mund të ngelin për një kohë të gjatë pa punë. Si zgjidhje e përkohshme, atyre u është kërkuar të zhvendosen pranë zonës së Stacionit të Trenit, por sipas tregtarëve, kushtet atje janë edhe më të këqija dhe nuk plotësojnë standardet minimale të punës.

Pas protestës një përfaqësi e tregtarëve kanë zhvilluar edhe një takim me kryetaren e bashkisë, Bruna Mersinin, por kanë dalë pa asnjë zgjidhje.

Sipas tyre u janë dhënë vetëm alternativa ku mund të ushtrojnë aktivitetin, por nuk ka një vendim konkret. Ata pohojnë se në rast se nuk u jepet një alternativë e pranueshme, protestat do të vijojnë.