Punonjësit e Kadastrës së Vlorës me anë të një peticioni shprehin kundërshtinë e tyre lidhur me vendimin e mbylljes së zyrës vendore dhe tranferimin e punonjësve në Tiranë.
Në peticion drejtuar drejtorisë së përgjithshme të Kadastrës, kryeministrit dhe Prefekturës Vlorë, ata kërkojnë rishikimin e vendimit.

Sipas vendimit zhvendosja e Kadastrës drejt Tiranws parashikon dhe zhvendosjen e punonjësve që të merren me dosje të ndryshme.
Sipas punonjësve, zhvendosja nuk duhet bërë pasi nuk përballojnë dot ngarkesën e madhe të dosjeve që shqyrtojnë.

Lidhur me këtë vendim ka reaguar edhe deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, e cila thotë se me këtë akt largohen shërbimet nga qytetarët.
REAGIMI I PLOTË
Mbyllja e Zyrës së Kadastrës në Vlorë dhe transferimi i saj në Tiranë është një vendim arbitrar, i paligjshëm dhe thellësisht antikushtetues. Një akt i pabazuar në ligj që shkel çdo parim të funksionimit të administratës publike.

Kjo mbyllje e menjëhershme synon centralizimin abuziv të shërbimeve, duke krijuar terren për korrupsion, vonesa të qëllimshme dhe pengesa artificiale për qytetarët e Vlorës.
Ky vendim: largon shërbimet nga qytetarët; cënon parimin e dekoncentrimit dhe decentralizimit; dëmton rëndë aksesin në informacion; detyron punonjësit të dorëzojnë marrëdhëniet e punës për shkak se nuk do udhëtojnë çdo ditë nga Vlora në Tiranë dhe anasjelltas.
Ligji nr. 90/2012 e thotë qartë: shërbimet publike duhet të jenë pranë qytetarëve, jo të mbyllen me urdhra okulte nga Tirana.
Ky akt përbën një precedent të rrezikshëm dhe një goditje të drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve të Vlorës. Ai duhet të shfuqizohet menjëherë, ndërsa firmëtarët duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore dhe administrative për këtë vendim të paligjshëm dhe të dëmshëm.
Shërbimet publike nuk janë pronë private e askujt. Ato janë detyrim kushtetues ndaj qytetarëve.

