Shqetësimi i ngritur nga Gjurmon.al merr zgjidhje, Bashkia Vlorë pastron mbetjet por fajin e hedh te qytetarët

Shqetësimi i ngritur nga Gjurmon.al merr zgjidhje, Bashkia Vlorë pastron mbetjet por fajin e hedh te qytetarët

Bashkia e Vlorës më në fund ka reaguar, edhe pse me më shumë se 15 ditë vonesë. Shqetësimi i ngritur nga Gjurmon.al për mospastrimin e mbetjeve duket se po merr zgjidhje.

Bashkia Vlorë ka ndërmarrë një aksion pastrimi në Babicë të Madhe, duke larguar nga rruga dhe trotuari disa kamion me mbetje që ishin aty prej javësh.

Në një postim në mediat sociale, Bashkia Vlorë teksa njofton aksionin fajin e hedh te qytetarët, që sipas saj hedhin mbetje të ndryshme jashtë kazanëve dhe ndotin ambientin.

Për të gjithë ata që mendojnë se divanët, dyshekët, dollapët, plastika e gjithfarë mbeturinash që hedhin në rrugë, zhduken vetë, përveçse duhet të dinë se është një fuqi e tërë punëtore që tejlodhet, në një mënyrë apo një tjetër, natyra na i kthen sërish nëpër lagjet tona, në det e në të gjithë qytetin!

Lufta e përditshme me mbetjet nuk fitohet pa ndërgjegjësimin dhe kujdesin e çdo njeriu!

Ndërsa duhet të shkëmbenim informacione për projekte zhvillimore të qytetit, energjia shkon për aksione pastrimi e ndërgjegjësimi që as duhet të përmendeshin, në kohët që jetojmë.  MOS E NDOTNI QYTETIN!Vlora është shtëpia e të gjithëve ne!”, është kjo thirrja e kryetares së bashkisë, Bruna Mersini.

Problemi i mbetjeve është raportuar disa herë në Gjurmon.al. Në ditët e para të Janarit, Gjurmon.al ka treguar situatën në Babicë të Madhe, ku mbetjet qëndronin aty prej ditësh.

Kjo situatë ka vijuar edhe për shumë ditë të tjera dhe Bashkia Vetëm dje nisi aksionin për pastrimin e zonës.