Qyteti i Vlorës prej tetorit të vitit 2024 është përmbytur disa herë. Shpesh herë kanë mjaftuar vetëm pak minuta reshje që qyteti të gjendej nën ujë.
Por përmbytja e tetorit të vitit 2024 tregoi se qyteti kishte probleme të shumta me kullimin dhe hidrovorët. Milionat e Eurove të shpenzuara më herët rezultuan një dështim pasi qyteti ishte pothuajse i gjithë nën ujë.

Hetimet më pas zbuluan se kanalet nuk ishin pastruar, hidrovorët nuk punon siç duhet, por askush nuk u bë përgjegjës për situatën në qytet.
Bashkia Vlorë në vite ka shpenzuar miliona për kullimin. Sipas të dhënave nga buxheti i bashkisë për vitin 2026, fondi total i planifikuar për këtë program është rreth 46 milionë lekë.
Por ajo që bie në sy në dokumentin e buxhetit është se për vitin 2027 fondi për ujitje dhe kullim ulet në 42 milionë ndërsa për vitin 2028 nuk parashikohet asnjë financim, sikur problemi i përmbytjeve dhe kullimit të mos ekzistonin.
Në bazë të këtij dokumenti tregohet qartë se Bashkia Vlorë nuk ka një strategji investimi afatgjatë për këtë sektor.
Tenderat pas përmbytjeve
Përmbytjet e vitit 2024 treguan se qyteti ishte në emergjencë dhe Bashkia Vlorë hapi disa tendera, duke nisur nga pastrimi i kanaleve e deri te riparimi i hidrovoreve.
Një prej tenderave ishte me objekt “Rikonstruksionin e Hidrovorit të Qytetit ”, me një vlerë fondi limit prej rreth 154 milionë lekë pa TVSH. Po në vitin 2025, Bashkia e Vlorës ka shpallur edhe një tender tjetër me objekt “Mirëmbajtje Hidrovori”, me fond 3.8 milionë lekë pa TVSH.
Po ashtu është shpallur edhe tenderi për “Rikonstruksionin e kanaleve të ujërave të larta” që kishte si qëllim përmirësimin e një segmenti të rëndësishëm të infrastrukturës së ujërave të shiut për reduktimin e rrezikut të përmbytjeve. Fondi limit i tenderit ishte 63.7 milionë lekë pa TVSH.
Në total në shkallë vendi, për vitin 2025, fondet për menaxhimin e infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, duke përfshirë kanalet ujitëse, hidrovoret dhe investimet mbrojtëse ndaj përmbytjeve, ishin parashikuar në buxhetin e Ministrisë së Bujqësisë rreth 2.8 miliardë lekë ose rreth 22 milionë euro.
Po pavarësisht parave të shpenzuara situata ende nuk ka marrë zgjidhje. Në shumë raste është propaganduar se po pastrohen kanalet kulluese, por sërish shumë kanale janë të bllokuar.
Përmbytjet vijuan edhe gjatë 2025, madje edhe në ditën kur qytetarët iu drejtuan kutive të votimit për të zgjedhur kreun e ri të bashkisë. Ndaj sipas ekspertëve nevojitet një strategji afatgjatë për të zgjidhur problemi dhe jo aksione pastrimi pas çdo përmbytje.

