Situata e përmbytjeve në Vlorë sa vjen e përkeqësohet. Ditën e sotme për shkak të prurjeve, niveli i Vjosës ka kaluar kuotën maksimale mbi 8 metra.
Lumi Vjosa ka dalë nga shtrati në Novoselë dhe ka përmbytur dhjetëra hektarë tokë.
Ministri Mbrojtjes, Pirro Vengu ka mbledhur shtabin e emergjencave civile në Novoselë, ku ka paralajmëruar se situata do të vështirësohet për shkak të reshjeve.

“Tre fshatra janë më të rrezikuar, Bishani, Fitore dhe Novosela”, ka thënë ministri.
Ndërkohë Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se janë evakuuar 13 familje pranë Urës së Mifolit dhe në Novoselë dhe kërkohet evakuimi i banorëve të tjerë.
NJOFTIMI I MINISTRISË SË MBROJTJES
Në zbatim të: Ligjit nr. 45/2019, “Për Mbrojtjen Civile”; Planit Kombëtar të Emergjencave Civile; Planeve Vendore të Emergjencave Civile,
si pasojë e situatës së krijuar nga përmbytjet dhe rrezikut të menjëhershëm për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, do të kryhet evakuimi i menjëhershëm i banorëve të: Bashkisë VLORË, Njësisë Administrative NOVOSELË
Evakuimi do të realizohet përmes koordinimit me: Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC); Prefektin e Qarkut përkatës; Strukturat e Emergjencave Civile në bashki
Sipas legjislacionit në fuqi, Kryetari i Bashkisë është autoriteti përgjegjës për urdhërimin e evakuimit në territorin e bashkisë.
Në çdo rast, komunikimi dhe kërkesat për ndihmë duhet t’u drejtohen autoriteteve publike në terren.
Prioritet në procesin e evakuimit kanë: Fëmijët; Të moshuarit; Personat me aftësi të kufizuara; Familjet në zona të izoluara
Transporti për evakuimin e banorëve do të sigurohet nga: Mjetet e Bashkisë; Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH) dhe Forcat e Armatosura.

