Vetëm me votat e mazhorancës, miratohet mes debate buxheti për bashkinë Vlorë

Vetëm me votat e mazhorancës, miratohet mes debate buxheti për bashkinë Vlorë
Mbledhja e Këshillit Bashkiak

Opozita nuk u dëgjua as këtë vit. Pa debate, por me tension u miratua buxheti i vitit 2026 për Bashkinë Vlorë. Vetëm me 30 votat e mazhorancës, asnjë kundër dhe 10 abstenim nga opozita buxheti prej 45 milionë Eurosh për Bashkinë Vlorë u miratua këtë të martë.

Mbledhja zgjati më shumë se tre orë, duke u shoqëruar edhe me tensione, pasi në sallën ku po diskutohej buxheti dhe çështje të tjera shkuan edhe përfaqësuesit e transportit interurban, të cilët kërkonin që të mos dëmtoheshin më nga konkurrenca e pandershme.

Kërkesa e tyre ishte e qartë një vend ku të qëndrojnë dhe të kenë stacione të dedikuar, kërkesë e cila duket se u dëgjua. Kryetarja e bashkisë së Vlorës Brunilda Mersini përgjatë mbledhjes pohoi se është parashikuar zhvendosja e stacionit për të shmangur problematikat në qarkullim, por ajo njoftoi edhe ndërtimin e një terminali në Vlorë për autobusët.

Opozita kundërshtoi miratimin e buxhetit, duke e quajtur edhe buxhetin e turpit. Këshilltari opozitar, Atird Hoxha, deklaroi se shumcia ka anashkaluar opozitën duke mos dëgjuar zërin e tyre dhe as të qytetarëve.

Mbetjet ishin një ndër pikat që sollën shumë debate në mbledhje, ku u premtua sërish vendosja në punë e landfillit të Sherishtës por edhe kapsulimi i fushës së mbetjeve. Premtime pati edhe për investime në rrugë dhe rritje pagash për administratën.