Kanalet kulluese në Vlorë vijojnë të jenë të bllokuar, bashkia vijon propagandën se po i pastron

Kanalet kulluese në Vlorë vijojnë të jenë të bllokuar, bashkia vijon propagandën se po i pastron

Përmbytja masive vitin e shkuar në Vlorë mund të jetë harruar prej shumë zyrtarëve, por qytetarët e kanë ende të freskët në memorien e tyre. Pas asaj përmbytje në tetorin e shkuar qytetarët e Vlorës e kanë parë veten të bllokuar me dhjetëra herë te tjera, sa herë që reshjet kanë qenë me intesitet mesatar.

Bashkia Vlorë prej asaj kohe ka ndërruar tre kryetar, Ermal Dredha, Elis Halili dhe së fundmi në detyrë është Bruna Mersini. Emëruesi i tyre i përbashkët është premtimi për pastrimin e kanaleve kulluese.

Premtimi është artikuluar disa herë, por në realitet kanalet vijojnë të jenë të bllokuar. Gjurmon.al vizitoi një prej kanaleve pak ditë më parë, kanal i cili kalon përbri rrugës Nikolla Xhuveli. Realiteti flet ndryshe nga premtimet e kryebashkiakëve, pasi situata është ngjashëm me një vit më parë.

Ky kanal rezulton i mbushur me mbetje të ndryshme urbane dhe inerte, duke e bërë të vështirë rrjedhën e ujt. Problemi pranohet edhe nga bashkia, pasi kryetarja Mersini në datën 12 Dhjetor ka publikuar pamjet e një tjetër kanali që nuk ishte pastruar, dhe ndërhyrja në të është bërë së fundmi, pas ankesave të shumta nga banorët.

Pastrimi i kanalit të Naunkës është domosdoshmëri për komunitetin dhe prioritet për bashkinë. Së bashku me Emergjencat Civile, po punojmë për të zgjidhur njëherë e mirë problematikat që ka shkaktuar prej kohësh në zonë, për shkak të ndotjes dhe përmbytjeve”, është ky postimi i numrit një të Bashkisë Vlorë.

Por banorët tregojnë një realitet tjetër. Teksa ekipi i Gjurmon.al ishte duke xhiruar kanalin në rugën Nikolla Xhuveli, një banore kërkoi të denonconte dëmet që i ishin shkaktuar nga përmbytjet, për shkak të bllokimit të kanalit.

Sipas banores bllokimi i kanalit kishte shkaktuar përmbytje dhe uji kishte rrëzuar murin. “Taksat i marrin, por për të ardhur për të rregulluar dëmet nuk vijnë”, pohoi ajo. “Të vijnë të rregullojnë dëmet e shkaktuara,” ishte thirrja e të moshuarës.