Punimet për ujësjellësin e ri në Vlorë prej muash duket se janë në vendnumëro. Kanalet e hapura në rrugët e qytetit prej muajsh nuk po mbyllen duke u kthyer në shqetësim për të gjithë banorët.
Gjurmon.al ishte në rrugën Dëshmorët, pas ankesës së banorëve se ky segment prej muajsh ishte kthyer në një problem për shkak të kanaleve të hapura në çdo 10 metër.
Rruga Dëshmorët, e cila është shumë pranë qendrës së Vlorës, një segment shumë i ngarkuar, duket se është bërë dëshmor për punimet e ujësjellësit të ri.
Kanalet janë tipari dallues në këtë rrugë dhe për të gjithë drejtuesit e mjeteve duhet një kujdes maksimal që të mos dëmtojnë makinat.
Banorët pohuan për Gjurmon.al se ky problem ka muaj që vijon dhe mund të vijojë edhe për shumë muaj të tjerë, pasi ritmet e punës sipas tyre janë shumë të avashta.

