Fondacioni turk Maarif Vakfi kërkon të hapë shkollë në Himarë, kreu i bashkisë dhe opozita me qëndrime të kundërta

Fondacioni turk Maarif Vakfi kërkon të hapë shkollë në Himarë, kreu i bashkisë dhe opozita me qëndrime të kundërta

Mirëpritja e përfaqësuesve të Maarif Vakfı në Bashkinë Himarë u shoqërua me një dialog konstruktiv mbi nisma që synojnë përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe zgjerimin e mundësive për të rinjtë e zonës”, me këto fjalë e nis reagimin e tij kryetari i Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, i cili njoftoi se shumë shpejt në bashkinë jugore mund të hapet një shkollë e re.

Sipas Tavos, biseda me përfaqësuesit e fondacionit Maarif Vakfi, janë prezantuar “propozime që synojnë modernizimin e infrastrukturës arsimore dhe pasurimin e programeve edukative”. Ky fondacion sipas qytetarit të parë të Himarës kërkon hapjen e një shkolle profesionale me programe bashkëkohore, të lidhura ngushtë me kërkesat e tregut të punës dhe po ashtu ngritja e laboratorëve të rinj të kimisë dhe fizikës, të pajisur me standarde moderne.

Sipas Tavos këto hapa do të jenë në të mirë të komunitetit, pasi do ketë qendra kursesh për gjuhë të huaja, duke nisur nga gjermanishtja e deri te turqishja, por për nxënësit e mirë do të ketë edhe bursa.  Por ky njoftim duket se nuk është mirëpritur nga komuniteti dhe forcat opozitare, që e kanë kundërshtuar ende pa nisur projekti i premtuar nga kryetari i Bashkisë. Qytetarët ishin të ndarë në mendime, ku në komentet që i bashkëngjiteshin këtij postimi, kishte pro edhe kundër (https://www.facebook.com/share/p/17nnsrxYAs/).

Opozita kundër: Ka synime të qarta gjeopolitike

Teksa qytetarët janë të ndëra, opozita është e unifikuar. Këshilltarja e Partisë Demokratike, në Këshillin Bashkiak Himarë, Afrovita Dhimojani, kundërshton praninë e fondacionit Maarif Vakfi në Himarë.

Nuk mund të vijë një fondacion kaq i dyshimtë me ide të forta politike, ideologjike, arsimore në Himarë. Bashkia e Himarës do të hapë një shkollë turke, pavarësisht etiketimit që mund t’i vendoset. Shteti shqiptar duhet të jetë i kujdesshëm në akreditimin e këtyre fondacioneve, jo vetëm në Himarë por në të gjithë Shqipërinë”, shkruan ajo në një postim në mediat sociale.

Edhe dega e OMONIAS në Himarë shprehet kategorikisht kundër pranisë së këtij fondacioni në bashkinë jugore, duke e argumentuar me faktin se “ky organizëm funksionon qartësisht si instrument i ushtrimit të ndikimit politik turk”.

Përfshirja e një strukture të tillë, me synime të qarta gjeopolitike, në fushën e arsimit në Himarë përbën një zhvillim të papranueshëm, të rrezikshëm dhe fyese për komunitetin lokal dhe për pakicën kombëtare greke. Identiteti ynë arsimor, gjuha jonë dhe vazhdimësia jonë kulturore nuk mund të vendosen nën administrimin e organizmave që përfaqësojnë interesa strategjike të huaja, sidomos kur në Himarë nuk ofrohet mësim në gjuhën tonë amtare në të gjitha nivelet arsimore”, citohet në një deklaratë të kësaj organizate politike. (Të plotë reagimin e OMONIA-s e gjeni këtu: https://www.facebook.com/share/p/1A1fLSxBot/).

Sqarohet Tavo: Gjithçka do të bëhet me transparenë

Por pasi ka lexuar e dëgjuar të gjitha komentet dhe kundërshtitë për këtë çështje, kryetari i Bashkisë Himarë ka bërë një tjetër sqarim. Po në mediat sociale, por këtë herë në tre gjuhë, shqip, anglisht dhe greqisht, Tavo pohon se kjo çështje pa dëshirën e tij “u shndërrua qëllimisht në çështje politike”.

Ishte një takim rutinë, një bisedë informuese, ashtu si të panumërtat që zhvillojmë me institucione e organizata. Pa marrëveshje, pa nënshkrime, pa angazhime e pa asnjë vendim. Asgjë nuk ka lëvizur, asgjë nuk ka ndryshuar dhe askush s’ka të drejtë t’i krijojë hije arsimit të fëmijëve tanë”, sqaron qytetari i parë i Himarës.

Tavo më tej shton se nëse do këtë një vendimmarrje për praninë e fondacionit turk në Himarë, do të informoj qytetarët me transparencë, por në reagimin e tij nuk sqaron se pse lindi nevoja që ky fondacion të shtrinte ndikimin e tij në Himarë. (Të plotë reagimin e Tavos e gjeni këtu: https://ëëë.facebook.com/share/p/1FuC7Hz5ju/)

Por përse ngjalli debate shtrirja e prezencës së Maarif edhe në Himarë?

Fondacioni Maarif operon prej gati 10 vitesh në Shqipëri, ku administron disa institucione arsimore private. Fondacioni Maarif është një organizatë shtetërore turke dhe ka si qëllim kryesor promovimin e arsimit turk jashtë vendit.

Por ajo që bie në sy është e Maarif konsiderohet si një fondacion që ka për qëllim të zëvendësojë shkollat që janë mbyllur, të cilat kishin lidhje me Fetullah Gylen.

Nga ana tjetër për këtë fondacion, edhe sipas opozitarëve në Himarë, ka dyshime që përdoret si instrument i “soft poëer” (fuqia e butë), për të shtrirë ndikim turk përmes arsimit, kulturës dhe gjuhës, duke ndihmuar në forcimin e ndikimit të Turqisë në vendet ku vepron. Akuzohet gjithashtu nga kritikë dhe opozita në disa vende se është mjet i islamizimit të butë ose ndikimit ideologjik të Turqisë.

Vetë ky fondacion nuk ka bërë asnjë reagim zyrtar lidhur me akuzat që janë ngritur ndaj tij dhe debatin e hapur në Himarë, por në faqen zyrtare në internet promovon suksesin e nxënësve që studiojnë në shkollat që menaxhojnë, ku disa prej tyre kanë marrë edhe medalje në konkurset ku kanë marrë pjesë.