Një problem në rrjetin e ujësjellësit në Vlorë ka lënë qytetin prej dy ditësh pa ujë. Ujësjellës Kanalizime Vlorë njoftoi dy ditë më parë se problemi do të zgjidhej brenda pak orës (brenda ditës) por duket se punimet do të vijojnë edhe gjatë ditës së sotme.
Në një njoftim në mediat sociale ujësjellësi bëri me dije se problemi në lagjen “1 Maji”, pranë rrugës “Transballkanike” rezultoi më i madh nga sa pritej.

“Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë informon banorët e qytetit të Vlorës se prej paradites së djeshme një grup i gjerë specialistësh të Degës Teknike, por edhe Sektorit të Kanalizimeve u angazhua në riparimin e një defekti, nga më të vështirët, për shkak të terrenit, por edhe kuotave të ulëta ku shkarkojnë ujërat”, sqarohet nga UKV.
Mësohet se pas konstatimit të problemit janë dashur shumë orë vetëm për largimin e ujit nga vendi ku u konstatua avaria, ndaj ka pasur edhe zgjatje të punës në terren.

“Stacionet e Pompimit vijojnë të qëndrojnë të stakuara. Falenderojmë qytetarët për mbështetjen dhe mirëkuptimin!”, shtohet në njoftim, por edhe në disa lajmërime të tjera u kërkohet qytetarëve që të jenë të mirëkuptueshëm për mungesën e ujit.

