Mbetjet pushtojnë lumin në Urën e Bratit, bashkia bën festa dhe reklamon pastrimin e plehrave por realiteti flet ndryshe

Mbetjet pushtojnë lumin në Urën e Bratit, bashkia bën festa dhe reklamon pastrimin e plehrave por realiteti flet ndryshe

Bashkia Selenicë pak ditë më parë organizoi aktivitetin “Shushica fest” në urën e Bratit. Ky aktivitet kishte si synim promovimin e këtij atraksioni turistik, që vitet e fundit po pëlqehet nga mijëra turistë.

Zyrtarë të bashkisë zbritën deri në breg të lumit, bashkë me nxënës të shkollës “Todi Koçeli”, ku reklamuan pastrimin e zonës mga mbetje të ndryshme.

Një aktivitet dhe shumë mesazhe “Shushica fest” në këto ditë të nxehta Korriku. Shushica me ujrat e saj të kristalta një atraksion i hatashëm për admiruesit e ujrave lumore por edhe natyrës përreth me shkëmbinj e gjelbërim natyror.

Përmes këtij aktiviteti Bashkia e Selenicës jo vetëm bëhet promovuese e këtyre vlerave por njëkohësisht adreson një ftesë të hapur për të gjithë vizitorët vendas e të huaj që janë të interesuar të shijojnë nga afër freskinë dhe magjinë e ujrave të Lumit të Vlorës.

Falenderues për të rinjtë dhe nxënësit e shkollës “Todi Koçeli” të cilët ju bashkuan këtij aktiviteti dhe iniciuan pastrimin e teritorit të plazhit duke dhënë mesazhin për nevojën e ruajtjes dhe kujdesit ndaj mjedisit si një kusht i domosdoshëm për ti bërë të vizitueshme e aksesueshme nga të gjithë”, shkroi në një postim kreu i Bashkisë Selenicë, Nertil Bellaj.

Gjurmon.al shkoi në urën e Bratit për të parë nga afër nëse aksioni i pastrimi ishte i vërtetë apo thjesht një reklamë në mediat sociale.

Realiteti flet kundër bashkisë pasi plehrat e mbledhura ishin lënë po në breg të lumit. Qeset me mbishkrimin “Selenizza” të reklamuara nga bashkia ishin po aty, ndërkohë mbetje plastike dhe shishe birre apo bidona uji gjendeshin kudo.

Nga ana tjetër edhe poshtë urës dhe rrugës për të shkuar në këtë vend turistik gjeje mbetje, ku situata flet qartë se aksioni i pastrimit nuk ka qenë i vërtetë.