Plazhet publike këtë sezon veror i gjen kudo në Himarë, që nga zona tradicionale e Spilesë që ka qenë gjithmonë hapësirë falas e deri në plazhet që njihen edhe si zona ekskluzive si Palasa apo Dhërmiu.
Ndryshimet në rregulloren për ndarjen e hapësirave të plazheve kanë sjell më shumë hapësira për qytetarët të pushojnë falas dhe komod, pasi janë vendosur edhe çadra e në disa zona gjen edhe shezlong.

Por problemi qëndron te rojet bregdetarë. I gjen pak ose aspak në plazhet e Himarës, situatë e ngjashme me atë që raportuar Gjurmon.al edhe më herët nga plazhe të tjera.
Një tabelë në plazhin më të madh publik në Spile e tregon qartë situatën, pasi njoftohet çdo pushues që mund të qëndrojë në çadra pa paguar por me rrezikun e mungesës së rojeve jetëshpëtuese.
Pak metra më tej ndodhet edhe kulla e vrojtimit, por pushuesit pohojnë se s’kanë parë kurrë roje në të për të sinjalizuar se ka rrezik në ditë të caktuara kur deti është shumë i trazuar.
Pushuesit pohojnë se edhe në plazhe të tjera rojet bregdetare mungojnë, po edhe nga vëzhgimi i Gjurmon.al në Himarë situata flet qartë ku nuk shihen as kullat e vrojtimit.

