Rritet presioni ndaj Parkut Kombëtar të Vjosës, kërkohet ndërhyrje urgjente

Rritet presioni ndaj Parkut Kombëtar të Vjosës, kërkohet ndërhyrje urgjente

Parku Kombëtar i Lumit të Egër “Vjosa”, simbol i natyrës së paprekur në Evropë, ndodhet sot nën presione të rënda nga faktorë industrialë, bujqësorë dhe urbanë. Një deklaratë e përbashkët e tre organizatave mjedisore – EcoAlbania, RiverWatch dhe EuroNatur – ka ngritur alarmin për gjendjen alarmante në të cilën ndodhet parku, vetëm një vit pas shpalljes së tij si parku i parë i lumit të egër në Evropë.

Sipas këtyre organizatave, aktivitetet njerëzore po shkelin rregullat bazë të menaxhimit të një zone të mbrojtur me rëndësi të veçantë ekologjike. Veçanërisht shqetësues është shfrytëzimi i ujit për vaditje dhe përdorime urbane, që sipas raportit të publikuar nga EcoAlbania, prek mbi 47 mijë hektarë tokë bujqësore. Ulja e rrjedhës së lumit dëmton ndjeshëm ekosistemin e tij të ndjeshëm dhe rrezikon mbijetesën e dhjetëra specieve të mbrojtura.

Një tjetër kërcënim madhor vjen nga industria e nxjerrjes së zhavorrit dhe mineraleve. Janë identifikuar 36 impiante përgjatë lumit, 17 prej të cilave janë aktualisht aktive. Këto aktivitete kanë ndryshuar strukturën fizike të lumit, kanë shkaktuar ndotje të ndjeshme dhe kanë çuar në humbjen e habitateve natyrore. Në bashkinë e Selenicës, ndodhen gjithashtu dhjetëra puse nafte dhe miniera që veprojnë pranë shtratit të lumit, duke e bërë situatën edhe më problematike.

Deklarata e tre organizatave thekson se këto zhvillime bien ndesh me statusin e Parkut Kombëtar dhe rrezikojnë të dështojnë përpjekjet për ta shpallur Luginën e Vjosës si Rezervat të Biosferës UNESCO. Sipas aktivistëve, Shqipëria po rrezikon të humbasë një nga pasuritë më të mëdha natyrore të saj, për shkak të mungesës së mbikëqyrjes dhe zbatimit të ligjit.

EcoAlbania, RiverWatch dhe EuroNatur i kërkojnë Qeverisë Shqiptare dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të marrin masa të menjëhershme. Në deklaratën e tyre thuhet se duhen vendosur kontrolle të forta ndaj shfrytëzimit të ujërave, të ndalet menjëherë nxjerrja e zhavorrit në zonat e mbrojtura dhe të kontrollohet industria nxjerrëse për ndotjen që po shkakton. Ndërhyrjet, sipas tyre, duhet të jenë konkrete dhe të verifikueshme, jo vetëm në letër.

Në fund të deklaratës, theksohet se Parku i Vjosës nuk është vetëm një sukses i natyrës, por edhe një premtim i bërë për brezat e ardhshëm. Nëse ky premtim nuk mbrohet me veprim të menjëhershëm dhe të koordinuar, ai do të mbetet vetëm një iluzion në dokumentet zyrtare dhe në fjalimet ndërkombëtare.