Rikualifikimi i lulishtes në zonën e njohur si ‘Kali i Trojës‘ në Vlorë duket se është lënë në mes. Punimet për rikualifikimin e kësaj zone që synonte dhe nxjerrjen në dritë të bustit të qëndistares së flamurit kombëtar Marigo Posio, nuk kanë shkuar si duhet.
Një tabelë në hyrje të lulishtes tregon se punimet duhet të zgjasin 3 muaj, por pavarsisht se po kalojnë gati 6 muaj, ende nuk po shihen rezultatet e punimeve.
Banorët e Vlorës do duhet të paguajnë 6,012,000 Lekë me TVSH për këtë projekt, por situata në terren në vend që të përmirësohej është përkeqsuar.
Gjurmon.al pas shqetësimit të ngritur nga qytetarët pa nga anfër situatën dhe pamjet flasin vetë. Pllakat e trotuarëve të pavendosura si duhet, zhavorri i hedhur kuturu, mbetje të ndryshme plastike dhe kartona në të gjithë sipërfaqen.
Mosha e tretë që e frekuenton më së shumti këtë lulishte ishte sërish aty, por pohuan se prisnin rezultat tjetër nga punimet, por janë zhgënjyer.
Nga vetë zyratë të bashkisë në nisje të punimeve u premtua se do ishte një hapësirë që do i shtohej qytetit, por duket se jemi larg premtimit të fund vitit të shkuar.