Një aksident me pasoja tragjike ka ndodhur pasditen e së dielën në Vlorë. Dy të rinj të moshës 16 dhe 19 vjeç humbën jetën pas një aksidenti me motor.
Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën “Demokracia”, ku mësohet se 19-vjeçari me iniciale L. Ll., i cili drejtonte dhe mjetin m, humbi jetën në vendngjarje.
Ndërkohë, edhe pasagjeri i mitur, T. M., vetëm 16 vjeç, nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë gjatë transportit për në Spitalin e Traumës.
NJOFTIMET E POLICISË PËR NGJARJEN
Në rrugën “Demokracia”, pranë vendit të quajtur “Pusi i Mezinit”, dy shtetas, duke udhëtuar me një motomjet, dyshohet se kanë humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe si pasojë motomjeti ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një shtyllë elektrike.
Si pasojë e aksidentit, ka ndërruar jetë shtetasi L. Ll., 19 vjeç, ndërkohë që shtetasi T. M. është dërguar në spital për ndihmë mjekësore. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit, si dhe për përcaktimin e shtetasit që ishte në drejtim të motomjetit.
Në vijim të aksidentit të ndodhur në rrugën “Demokracia”, ju informojmë se shtetasi L. Ll., 19 vjeç, i cili ndërroi jetë në vendngjarje, ka qenë drejtuesi i motomjetit. Gjithashtu, ka ndërruar jetë gjatë transportit për në Spitalin e Traumës edhe shtetasi i mitur T. M., 16 vjeç, i cili udhëtonte si pasagjer. Në përfundim të veprimeve hetimore, materialet do t’i referohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale.
Mësohet se dy të rinjtë ishin nxënës në shkollën e mesme teknike në Vlorë e njohur si “Shkolla Industriale”. Pas kësaj tragjedie një mesazh ngushëllimi ka përcjell dhe stafi i shkollës.
“Sot, dy djem 16 dhe 19 vjeç , dy nxënës të shkollës tonë , L.Ll. (19) dhe T. M. (16) nuk do të kthehen më në shtëpi. Atje ku do ti prisnin prindërit, motrat, vëllezërit… Dy ëngjëj iu shtuan qiellit, por është e padrejtë që jeta t’u ndërpritet kaq herët. Nuk gjej fjalë për të ngushëlluar familjet e tyre. Nuk ka fjalë që shëron një dhimbje të tillë. Vetëm lutje dhe perqafime për familjet e tyre”, është ky mesazhi i ngushëllimit nga shkolla.