Protestat e banorëve të Tragjasit kundër projektit të ujësjellësit që synon marrjen e ujit të lumit të Izvorit për ta dërguar atë në Palasë dhe Dhërmi, duket se do të shuhet.
Protestat u zhvilluan në një hark kohor prej gati një viti, ku banorët u grumbulluan 8 herë dhe u mbështetën dhe nga diaspora e shoqata të ndryshme në mbrojtje të mjedisit.
Njëzëri, banorët pohuan se projekti synonte t’i linte pa ujë, pasi burimi i fshatit të tyre do furnizonte fshatrat turistikë dhe shtonin se veprimet e autoriteteve ishin të dyshimta.
Protestat u masivizuan dhe kërkesat u shtuan, ku kishte dhe zëra se i gjithë fshati do bojkotonte zgjedhjet si në shenjë revolte.
“Fushata uli gjakrat”
Në 22 Mars 2025 ishte tubimi i fundit në qendër të fshatit, por duket se deri në 11 Maj gjërat ndryshuan shumë. Fushata elektorale zbehu grintën e banorëve, e në fund duket se të gjithë u tërhoqën nga kërkesat e tyre.
I pari që shkoi për fushatë ishte Bledi Çuçi, drejtues politik i qarkut Vlorë për Partinë Socialiste, i cili u premtoi se “kurrë nuk do i linin banorët në baltë” teksa kërkoi votat për numrin 5.
Çuçi vuri në sedër banorët duke u thënë se “asnjëherë nuk na keni tradhtuar në betejat elektorale dhe kurrë nuk ju kemi lënë në baltë. Dhe unë ju premtoj sot nga ky shesh, ne kurrë nuk do t’ju lëmë në baltë”, tha Çuçi, duke bërë thirrje për të votuar Partinë Socialiste.
Pas Bledi Çuçit për të takuar banorët e fshatit shkoi edhe drejtuesi politik i PD në Vlorë, Bujar Leskaj, i cili në 8 Prill, kërkoi ndëshkim me votë të socialistëve. Vetë banorët pohuan në takim se “jemi masakruar” dhe kërkuan mbështetjen e opozitës.
“Ndëshkim” me votë
Në 11 Maj thirrjet për bojktot u harruan dhe i gjithë fshati doli për të votuar. 257 banorë morën pjesë në votime, ku 162 prej tyre votuan për Partinë Socialiste, ndërsa opozita në tërësi mori më pak.
Në të dyja qendrat e votimit rezultati duket i ngjashëm, ku forca në pushtet është në epërsi. Ky rezultat duket se nuk është pritur mirë edhe nga vetë banorët, pasi mësohet se pas shpalljes së rezultateve ka nisur përçarja mes tyre.
Tashmë pritet të shihet si do reagojnë banorët lidhur me projektin, ku një ditë pas zgjedhjeve banorë të fshatit i thanë Gjurmon.al se mjete të ndryshme ishin afruar dhe kanë rinisur punimet për ujësjellësin.