Të gjitha afatet u shkelën, por më në fund landfilli i Sherishtës u hap. A do zgjidhet problemi me mbetjet?

Të gjitha afatet u shkelën, por më në fund landfilli i Sherishtës u hap. A do zgjidhet problemi me mbetjet?

Në një kohë kur janë shkelur të gjitha afatet dhe Vlora vijon të jetë e ‘mbytur’ nga plehrat, Bashkia Vlorë ka njoftuar se landfilli i Sherishës është hapur dhe tashmë mbetjet do të depozitohen aty.

Në ditën e parë kur u hodhën dhe mbetjet e para ishte i pranishëm dhe kreu i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha, cili pohoi se landfilli është marrë në dorëzim dhe është në funksion të plotë.

Dredha pohoi se vendosja në funksion e vendit se ku do të trajtohen mbetjet urbane të qytetit është fundi i kalvarit të gjatë të problematikave ndër vite që janë hasur në Vlorë.

Por pavarësisht vendosjes në funksion të landfillit, kreu i bashkisë deklaron se është ende një fazë finale e projektit e parealizuar, pasi sipas tij pritet të nis edhe kapsulimi i fushës ku janë depozituar mbetjet urbane në Vlorë dhe Orikum.

E teksa njoftohet hapja e landfillit sërish në Vlorë nuk është zgjidhur problemi i fushës së mbetjeve si brenda në qytet dhe asaj në Orikum. Plehrat janë ende mal në këto dy fusha mbetjesh, po ashtu edhe kazanët nëpër qytet.

Gjurmon.al do të vëzhgojë nga afër këtë situatë për të parë nëse landfilli do të zgjidh problemin e pastrimit në Vlorë apo edhe në këtë sezon turistët do të përballen me kazanët e papastruar dhe me plehra të hedhura kudo.