Të paktën 20 operatorë ekonomikë humbën të drejtën e tyre për të fituar kontrata publike për shkak të shkeljeve të konstatuara gjatë verifikimeve.
Të dhënat zyrtare të Agjencisë së Prokurimit Publik tregojnë se 10 operatorë ekonomikë janë përjashtuar për shkak të keqinformimit dhe paraqitjes në tender të dokumenteve që përmbajnë të dhëna të rreme. Ndërkohë 10 operatorë ekonomikë janë përjashtuar për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve kontraktuale.
Gjatë vitit të shkuar, APP njoftoi se nga 64 kërkesat e administruara nisi procedimi administrativ për 35 operatorë ekonomikë.
Të paktën 29 kërkesa, kanë rezultuar si të paplota në argumente ligjore dhe prova dokumentare, ose pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se, nuk kanë qenë kushtet e parashikuara nga dispozitat ligjore për nisjen e procedimit administrativ nga APP, ose janë në proces shqyrtimi.
Në përfundim të procedimit administrativ APP raportoi se përveç 20 operatorëve të përjashtuar, është marrë vendimi për mospërjashtimin nga e drejta për të fituar kontrata publike për 4 operatorë ekonomikë. Po kështu është marrë vendimi për pezullim të procedimit, për shkak të procesit gjyqësor, për 7 operatorë ekonomikë dhe vijon procedimi administrativ për 4 operatorë ekonomikë.
Në raport Agjencia e Prokurimit Publik nënvizon se për vendimet e dhëna prej saj për përjashtimin e operatorëve ekonomikë gjatë vitit 2024 (gjithsej 20 vendime), rezulton se vetëm 11 vendime të dhëna për përjashtimin e operatorëve ekonomikë gjatë këtij viti janë ankimuar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë.
Lidhur me këtë në 5 çështje është vendosur rrëzimi i kërkesë padisë në 1 çështje është vendosur pranim i pjesshëm i kërkesë padisë, duke ulur masën e periudhës së përjashtimit, në 1 çështje është vendosur pushim gjykimi ndërsa 13 çështje janë ende në proces./Monitor