Për dy ditë me radhë në qytetin e Vlorës janë shfaqur tre vatra zjarri. Në fillim flakët ishin të dukshme në afërsi të parkut kombëtar të Llogorasë, më pas në ullishtat në afërsi të autostradës që lidhin Vlorën me Fierin, e në fund në plazh në Radhimë.
Sipas informacioneve nga terreni, zjarri në Llogora përfshiu një sipërfaqe toke të mbjellë me pisha dhe bimësi të zonës, ku për shkak të terrenit të vështirë u deshën disa orë për të izoluar flakët.
Pak orë pasi kjo vatër flakësh u vu nën kontroll, tymi u shfaq në anën tjetër të qytetit. Një hapësirë toke e mbjellë me ullinj u përfshi nga flakët dhe për disa orë tymi mbuloi gjithë zonën ku kalimi në autostradë kishte vështirësi.
Ndërkohë të premten nga flakët u përshinë disa shezlong në breg të detit ku u rrezikuan edhe hotelet në afërsi të zonës, për shkak edhe të erës që favorizonte flakët.
E përbashkët e këtyre zjarreve ishte koha në të cilën ndodhi ngjarja, por deri tani dyshohet që mund të kenë qenë të qëllimshëm. Të paktën vatra në dalje të Vlorës në afërsi të autostradës.
Nga ana tjetër edhe ndërhyrja e forcave zjarrfikëse nuk ishte në lartësinë e duhur. Por këto zjarre që ndodhin para sezonit turistik janë një kambanë alarmi se ky sezon do jetë me plotë të tillë njësoj si një vit më parë.