Plazhi i vjetër në Vlorë është ndotur në ditët e fundit nga mbetje të shumta inerte që janë hedhur në bregdet.
Sipas informacioneve, prej disa ditësh aty po depozitohen mbetjeve inerte, të cilat duken si masiv gurësh të nxjerra nga shembja e ndonjë shtëpie apo ndonjë pallati. Por përveç betonit, nuk mungojnë as pemët e shumta të prera të hedhura pa kriter në breg të detit.
Sipas ligjeve në fuqi, mbetjet inerte duhet të depozitoheshin në zonën e Jallisë së Nartës, por duket se rruga e gjatë për të shkuar deri në Nartë i ka detyruar autorët ende të paidentifikuar që të hedhin këto mbetje në plazhin e vjetër.
Ky akt kundër natyrës bëhet në një kohë kur në Vlorë priten që të vijnë qindra mijëra turistë, që kjo pamje jo vetëm i kthen pas por i shtyn që të bëjnë edhe reklamë të keqe të mijëra të tjerë.
Plazhi i vjetër është një ndër më të frekuentuar, por nëse nuk merren masat e nevojshme turizmi do të dëmtohet rëndë, nga gabimet e një apo disa personave të papërgjegjshëm.