Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq për veprat penale ‘Falsifikim të dokumenteve’, ‘Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve’ dhe ‘Shpërdorim detyre’ për 17 persona, zyrtarë të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), kryetarin e fshatit Palasë dhe ndërtuesit.
Në një njoftim për mediat, Prokuroria bën me dije se “nga hetimet mbi procedimin penal nr.814 të vitit 2020 rezultoi se shtetasit A.V., A.L. dhe F.K, kanë ndërtuar pa lejen e organeve kompetente 3 objekte, 2-katëshe në fshatin Palasë, Himarë, për qëllime fitimi. Këta persona gjatë kohës që kryenin ndërtimin e objekteve pa leje kanë aplikuar në ASHK-në Vlorë për legalizimin e tyre dhe kanë depozituar dokumente të falsifikuara në dosjen e legalizimit”.
NJOFTIMI I PLOTË
Për këtë arsye, shtetasit A.V., A.L. dhe F.K. janë akuzuar për kryerjen e veprave penale “Ndërtimi i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a/4 i Kodit Penal, “Falsifikimi i dokumenteve”, parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, parashikuar nga neni 190/1 i Kodit Penal.
Në kuadër të këtij procedimi, është marrë i pandehur edhe kryetari i Kryesisë së Fshatit Palasë, shtetasi O.Dh. për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve” kryer nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin, parashikuar nga neni 186/3 i Kodit Penal, të kryer 3 herë, si dhe tre ekspertët I.T., E.P. dhe D.M., për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin dhe në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186/3 e 25 i Kodit Penal, të kryer 3 herë, pasi kanë hartuar dokumentacion me të dhëna të rreme në përmbajtjen e tyre.
Në këto dokumente janë paraqitur të dhëna të rreme përsa i përket kohës së ndërtimit me qëllim që ato të përfshihen në procedurat e legalizimit, e më pas këto dokumente janë dorëzuar nga të pandehurit A.V., A.L. dhe F.K pranë ASHK-së Vlorë dhe janë bërë pjesë e dosjes së legalizimit.
Po kështu, rezultoi e provuar se ndërkohë që në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë kryheshin hetime lidhur me autorët e këtyre ndërtimeve, nga ASHK-ja Vlorë, është kryer legalizimi i 3 objekteve në kundërshtim me ligjin. Nga ana e punonjësve të ASHK-së të ngarkuar me verifikimin e kushteve dhe kritereve për përfitimin nga legalizimi, rezultoi e provuar se janë konsumuar elementë të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal, të kryer 3 herë.
Në lidhje me këtë vepër janë marrë të pandehur shtetasit K.T., Drejtor i ASHK-së Vlorë, E.M, Përgjegjës i Sektorit të Hartografisë pranë ASHK-së Vlorë, E.Y., Përgjegjës i Sektorit të Kalimit të Pronësisë pranë ASHK-së Vlorë, T.M, Specialiste e Sektorit të Kalimit të Pronësisë në ASHK-në Vlorë, S.R., Specialiste hartografe pranë Sektorit të Hartografisë në ASHK-në Vlorë, A,D., Specialist terreni pranë Sektorit të Legalizimeve në ASHK-në Vlorë, F.D., Përgjegjës i Sektorit të Legalizimeve pranë ASHK-së Vlorë, M.J., Specialist në Sektorin e Legalizimeve pranë ASHK-së Vlorë, D.M., Përgjegjës i Hartografisë dhe Regjistrimit pranë ASHK-së Vlorë, A.Rr., Përgjegjës i Sektorit të Legalizimit si dhe T.H., me detyrë Specialist IT-pranë ASHK-së Vlorë.
Në kuadër të procedimit penal nr. 814 të vitit 2020 u cakta edhe masa e sigurimit pasuror “Sekuestro preventive” parashikuar nga neni 274 i Kodit të Procedurës Penale mbi pasuritë e paluajtshme si më poshtë vijojnë:
Pasurinë me nr.200/353, me sipërfaqe të bazës së ndërtimi 82 m2 dhe sipërfaqe totale të ndërtimit 195 m2, për banim 195 m2/ për aktivitet 0 m2, me numër katesh 2 dhe sipërfaqe të parcelës ndërtimore 246 m2, i ndërtuar në ZK 2863, Palasë.
Pasurinë me nr. 200/352, me sipërfaqe të bazës së ndërtimi 79 m2 dhe sipërfaqe totale të ndërtimit 192 m2, për banim 192 m2/ për aktivitet 0 m2, me numër katesh 2 dhe sipërfaqe të parcelës ndërtimore 237 m2, i ndërtuar në ZK 2863, Palasë.
Pasurinë me nr. 200/351, me sipërfaqe të bazës së ndërtimi 82 m2 dhe sipërfaqe totale të ndërtimit 195 m2, për banim 195 m2/ për aktivitet 0 m2, me numër katesh 2 dhe sipërfaqe të parcelës ndërtimore 246 m2, i ndërtuar në ZK 2863, Palasë.