Mish pule me salmonelë është tregtuar në disa subjekte në qytetin e Vlorës, ky është përfundimi i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit pas kontrolleve të kryera ditët e fundit.
Mësohet se AKU këtë produkt të infektuar e ka zbuluar në disa markete, por edhe në restorant të cilat për klientët janë hallka e fundit e konsumit të produkteve.
Pas kontrolleve në shumë subjekte në Vlorë, është tërhequr nga tregu sasi e konsiderueshme e mishit të pulës të infektuar.
Kontrollet do të vijojnë edhe në ditët në vijim, pasi sipas zyrtarëve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, ekziston frika se ka ende në treg mish pulë me salmonelë, dhe mund të shitet në markete, restorante dhe fast food afër shkollave.
Por ka dhe nga ata tregtarë të ndërgjegjshëm, të cilët kanë tërhequr nga tregu sasi të konsiderueshme të mishit të pulës, pavarësisht nëse ka qenë apo jo i infektuar si një masë mbrojtëse për klientët.
Deri më tani AKU ka vendosur masa administrative për subjektet që pas kontrolleve kanë rezultuar se kanë tregtuar mish të infektuar nga bakteri vdekjeprurës.