Era e fortë ‘pushton’ jugun, shumë fshatra pa energji elektrike

Era e fortë ‘pushton’ jugun, shumë fshatra pa energji elektrike

Prej mesnatës së të dielës, banorët e fshatrave të lumit të Vlorës, por edhe Himara dhe fshatrat rreth saj janë duke u përballur me mungesë të energjisë elektrike.

Shkak për ndërprerjen e energjisë elektrike është bërë era e fortë që ka pushtuar gjithë zonën prej dy ditësh.

Banorët ankohen se përveçse janë prej më shumë se 24 orësh pa energji, rryma elektrike lëshohet me intervale të shkurtra kohore dhe u janë dëmtuar pajisje të ndryshme elektoshtëpiake.

Më problematike është situata në disa fshatra të Selenicës, ku energjia elektrike ndërpritet dhe risillet sërish, çka ka bërë që shumë prej banorëve të mos përdorin asnjë pajisjet elektrike në banesë nga frika se mos dëmtohen.

Kjo nuk është hera e parë që banorët e fshatrave të Vlorës, Selenicës dhe Himarës përballen me këtë situatë, sipas tyre sa herë që ka mot të keq ata jetojnë pa energji elektrike edhe për disa ditë me radhe.