Problemet në turizëm, ministria e Turizmit projektligj për operatorët turistikë: Të kenë drejtues teknik të kualifikuar

Problemet në turizëm, ministria e Turizmit projektligj për operatorët turistikë: Të kenë drejtues teknik të kualifikuar

Problemet e viteve të kaluara, ku në disa raste ka pasur dhe humbje jetësh njerëzore për shkak të kualifikimit të dobët të operatorëve turistikë apo nga rregullat e papërcaktuara mirë, kanë bërë që Ministria e Mjedisit dhe Turizmit të mendojë për një projektligj të ri në këtë sektor.

Sipas një projektligji të hedhur për konsultim publik, operatorët turistikë duhet të kenë drejtues teknik të kualifikuar në mënyrë që të ofrojnë shërbime cilësore.

Ky është të paktën i ndryshimeve në projektvendimin “Për disa ndryshime në vendimin nr. 710, datë 12.10.2016 “Për miratimin e rregullores “Për kërkesat dhe kriteret për ushtrimin e veprimtarisë së operatorit turistik”” nxjerrë për konsultim nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

“Drejtuesi teknik duhet të vërtetojë se ka pasur eksperienca pune në veprimtari të tilla turistike si: agjenci udhëtimi, strukturë akomoduese, operator turistik., operator turistik detar apo udhërrëfyes turistik, apo dhe në fusha të tjera në fushën e turizmit”, citohet ndër të tjera në projektligj.

Ndërkohë në relacionin që shoqëron këtë draft, shpjegohet se operatori turistik përfaqësohet gjatë ushtrimit të veprimtarisë nga përfaqësuesi ligjor (administratori) dhe drejtuesi teknik të cilët duhet të plotësojnë disa kritere të përcaktuara me ligjin e vitit 2015 por edhe disa shtesa të tjera.

Sipas draftit, drejtuesi teknik duhet të jetë i punësuar vetëm në një operator turistik, në cilësinë e drejtuesit teknik, por për nevoja të ushtrimit të veprimtarisë së tij, duhet të vërtetojë se:

i) zotëron një gjuhë të huaj, nëpërmjet një dëshmie, certifikate, diplome ose një dokumenti të ngjashëm me to, lëshuar nga subjekti i certifikuar nga ministria përgjegjëse për arsimin për organizimin e testimeve ndërkombëtare, në nivelin B2, ose nga institucioni i arsimit të lartë publik ose privat, që është miratuar nga ministria përgjegjëse për arsimin për të ofruar programe të akredituara të gjuhëve të huaja, me vlerësim mbi/edhe notën 7 (shtatë);

ii) zotëron një gjuhë të huaj të dytë, nëpërmjet një dëshmie, certifikate, diplome ose një dokumenti të ngjashëm me to, lëshuar nga subjekti i certifikuar nga ministria përgjegjëse për arsimin për organizimin e testimeve ndërkombëtare, në nivelin B1, ose nga institucioni i arsimit të lartë publik ose privat, që është miratuar nga ministria përgjegjëse për arsimin për të ofruar programe të akredituara të gjuhëve të huaja, me vlerësim mbi/edhe notën 6 (gjashtë).

Nga ana tjetër, në draft theksohet se përfaqësuesi ligjor dhe drejtuesi teknik, në çdo rast, janë përgjegjës për zbatimin e dispozitave të  kësaj rregulloreje.