Fenomeni shqetësues që nuk po merr zgjidhje në Vlorë është erozioni. Gërryerja e tokave po bëhet çdo vit e më i dukshëm, ku Vjosa vetëm po zgjeron shtratin e saj.
Në afërsi të fshatit Mifol dhe Novoselë, situata duket edhe më e rëndë, ku ura që ndan Vlorën me Fierin, duket se po qëndron “në fije të perit”, pasi këmbët e saj që dikur ishin mes tokës tashmë kanë dalë në sipërfaqe.
Sipas të dhënave nga autoritetet lokale, njësia Novoselë në Vlorë, duket se është më e prekura nga fenomeni i erozionit. Të dhënat flasin për mbi 60 hektarë tokë bujqësore janë zhdukur, duke sjellë pasoja për banorët.
Banorët përballë kësaj situate duket se janë dorëzuar. Ekipi i Gjurmon.al bisedoi me disa banorë të zonës, të cilët me rrjetat e tyre dalin për peshkim në Vjosë. I gjetëm mbi urën që bashkon Vlorën dhe Fierin, teksa ishin duke peshkuar.
“Nuk kemi çfarë t’i bëjmë erozionit, duket vetë situata. Lumi vetëm po gërryen toka”, tha një banor i zonës. Sipas tij ky problem kërkon investime shumë të mëdha, por sërish është pesimist nëse do zgjidhet situata.
“Duhet investim i madh, nëse do bëhen barriera në një anë të lumit, lumi do gërryej nga ana tjetër. Nuk është vetëm këtu problemi, në gjithë zonën ka gërryerje të tokës”, vijoi ai.
Por autoritetet duket se ende nuk kanë një plan për t’u munduar të paktën që ky problem të marrë udhë. Kryeplaku i fshatit Novoselë, Ilia Moçka, pak javë më parë në një deklaratë për mediat pohoi se fermerët paguajnë taksat për këto toka që po i merr lumi. “Duhen vendosur pritat njësoj si në anën e Fierit. Ne kemi bërë kërkesa, na kanë premtuar por asgjë nuk është bërë”, pohoi Moçka.