Në dhjetor të vitit të shkuar u bë publik një projekt i Bashkisë Vlorës për t’i dhënë disa kompanive private një sipërfaqe toke prej 831 hektarë tokë.
Sipas projektvendimit, që u kundërshtua në bllok nga banorët e fshatit Kaninë, sipërfaqja e tokës është në zonën Shashicë-Gumenicë dhe synohet t’u jepet me qira për 10 vjet subjekteve që janë interesuar pranë ministrisë për ta përdorur për veprimtari fotovoltaike dhe eolike.
Bashkia në atë kohë vendosi që të dëgjojë dhe banorët, të cilët njëzëri pohuan se nuk pranon që tokat e tyre të shfrytëzohen nga të tjerët.
“Ai që do vijë të marrë tokën të vijë të bëjë kontratën me mua” u shpreh një banor i zonës gjatë dëgjesës, ku sqaroi më tej se nuk do të lejojë tjetërsimin e pronës së tij. “Bashkia nuk funksionon për fshatin e Kaninës për t’i marrë pronat”, tha një tjetër banor i revoltuar.
E duket se revolta e banorëve po vijon edhe në forma të tjera. Rruga Vlorë-Kaninë e cila dredhon mes kodrave me ullinj është e mbushur me mbishkrime “Kanina 1 Euro”, si një shenjë protestë që fshatin e tyre nuk do ta japin investime që nuk sjellin asnjë dobi për ta.
“Kanina 1 Euro” duket se do jetë protesta që do të vijojë gjatë në Kaninë, deri kur banorët të fitojnë betejën me bashkinë dhe tokat e tyre të mos jenë të kërcënuara prej askujt.