Pas protestës së taksistëve të Sarandës, edhe shoferët e mjeteve të verdha në Vlorë kanë ngritur krye. Ata pohojnë se janë duke u përballur me problematika të shumta, dhe vetëm po mbijetojnë në treg për shkak të konkurrencës së pandershme.
Për mediat, taksistët e licencuar thonë se taksistët pa licencë janë përhapur ndjeshëm, duke dëmtuar aktivitetin e tyre. Ata theksojnë se paguajnë rregullisht detyrimet ndaj shtetit, por çdo ditë humbasin klientë për shkak të operatorëve të paligjshëm, të cilët ofrojnë shërbime pa iu nënshtruar rregullave dhe detyrimeve ligjore.
Këta punonjës shprehen të revoltuar nga mungesa e kontrollit dhe ndërhyrjes nga institucionet përgjegjëse dhe kërkojnë që bashkia që të marrë masa.
Ata theksojnë se përballen me kontrolle të rregullta nga policia dhe bashkia, por taksitë e paligjshme vazhdojnë aktivitetin pa asnjë pasojë, duke u stacionuar edhe në zonat më të mira në qytet.