Mbledhja e kësaj të marte në Këshillin Bashkiak Vlorë nuk ka shkuar sipas parashikimeve. Një grup banorësh kanë arritur që të futen deri në sallën ku ishin mbledhur këshilltarët bashkiak, duke paraqitur problemin e tyre.
Dhjetëra qytetarët, banorë të Orikumit, kërkuan zgjidhjen për një çështje që ndikon drejtpërdrejtë në jetën e tyre. Tensionet gjatë mbledhjes ishin të dukshme, pasi banorët e Orikumit ndoqën nga afër pothuajse të gjithë debatet që zgjatën 4 orë.
Qytetarët pasi paraqitën shqetësimin e tyre për marrjen e ujit të fshatit dhe dërgimin në zonat turistike në Palasë dhe Dhërmi. Kërkuan që problemi të trajtohej pa u politizuar, pasi siç pohuan nuk kishin ardhur për të diskutuar çështje politike, por për të kërkuar zgjidhje për ndotjen dhe vështirësitë që po përjetonin nga ndërtimet.
Ata kërkuan që Këshilli Bashkiak të merrej me këtë çështje, pasi siç deklaruan po u vështirësohet jeta për shkak të vendimeve që merren pa u konsultuar me ta.
Pas protestës së tyre, duket se Bashkia Vlorë e dëgjoi shqetësimin dhe vendosi që kryetari Ermal Dredha të zbres në terren dhe të takohet me banorët. Sekretariati i Këshillit Bashkiak, konfirmoi se takimi do të zhvillohet të enjten në orën 12:00./Gjurmon.al