Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar një sërë shkeljesh në Hidrocentralin e Sasajt në Himarë, i cili u dëmtua në mes të janarit, duke shkaktuar përmbytje në banesa dhe biznese në këtë zonë. Sipas KLSH-së, nga gjetjet e para të auditimit (i cili është ende në vijim), ky HEC, që prej ndërtimit dhe fillimit të funksionimit, nuk ka pasur asnjë kontroll nga institucionet përgjegjëse për monitorimin e tij.
Nëse këto institucione do të kishin kryer kontrollet e nevojshme dhe do të kishin konstatuar problematikat që çuan në dëmtimin e digës, incidenti i ndodhur në HEC-in e Sasajt mund të ishte shmangur. Me qëllim parandalimin e ngjarjeve të ngjashme në të ardhmen, KLSH thotë se do të auditojë edhe HEC-e të tjera në mbarë Shqipërinë.
Kontrolli i Lartë i Shtetit fton qytetarët që mund të kenë informacione rreth problematikave të ngjashme, t’i sinjalizojnë pranë institucionit, për të parandaluar përsëritjen e situatave të tilla fatale.
KLSH nisi auditimin në 17 janar dhe objekt i kontrollit ishte jo vetëm kompania që ka në pronësi këtë strukturë mbi anën teknike, cilësinë e punimeve si dhe atë të projektimit por edhe institucionet që kishin për detyrë të kontrollonin këtë HEC.