“EuroNatur” i bën thirrje Bashkisë së Mynihut të ndërpresë mbështetjen për Aeroportin e Vlorës

“EuroNatur” i bën thirrje Bashkisë së Mynihut të ndërpresë mbështetjen për Aeroportin e Vlorës

Organizata mjedisore gjermane “EuroNatur” njoftoi sot se i ka dorëzuar një peticion Këshillit të Bashkisë së Mynihut, duke kërkuar tërheqjen e mbështetjes për projektin e Aeroportit të Vlorës.

Sipas organizatës, e cila ka qenë aktive për vite me radhë edhe në Shqipëri, ky peticion do të shqyrtohet nesër nga këshilli bashkiak i Mynihut.

Kompania Flughafen München GmbH, e cila operon Aeroportin e Mynihut, ka rolin e këshilluesit në projektin e Aeroportit të Vlorës. Qyteti i Mynihut zotëron 23% të aksioneve në këtë kompani.

Në një deklaratë për mediat, “EuroNatur” thekson se peticioni i drejtohet kryetarit të bashkisë së Mynihut, Dieter Reiter, duke kërkuar që ai të mbështesë tërheqjen e kompanisë nga shërbimet e konsulencës dhe menaxhimit për planifikimin dhe operimin e aeroportit të Vlorës, i cili aktualisht është në ndërtim.

Drejtori ekzekutiv i “EuroNatur”, Gabriel Schwaderer, deklaroi se ndërtimi i Aeroportit të Vlorës është kritikuar ashpër jo vetëm nga Konventa e Bernës, por edhe nga Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian, pasi aeroporti po ndërtohet në një zonë të mbrojtur natyrore evropiane.

“Qyteti i Mynihut, Shteti i Lirë i Bavarisë dhe Republika Federale e Gjermanisë duhet të marrin masat e duhura dhe të tërhiqen plotësisht nga ky projekt”, shtoi ai.

Pavarësisht thirrjes së Konventës së Bernës për ndalimin e ndërtimit dhe protestave të organizatave mjedisore, puna në Aeroportin e Vlorës, që ndodhet pranë peizazhit të mbrojtur Vjosë-Nartë, po vijon.

Aeroporti i Vlorës pritet të shtrihet në një sipërfaqe prej 297 hektarësh, me një investim të parashikuar prej rreth 100 milionë dollarësh. Pista e tij do të ketë një gjatësi deri në 3.2 kilometra, ndërsa terminali i pasagjerëve do të shtrihet në një sipërfaqe prej 25 mijë metrash katrorë.

Sipas autoriteteve shqiptare, në prill të këtij viti pritet të përfundojë faza e certifikimit të aeroportit sipas standardeve ndërkombëtare, nën mbikëqyrjen e operatorit të tij, Aeroportit Ndërkombëtar të Mynihut.