Një grup punonjësish të ujësjellësit të Vlorës janë ngritur në protestë. Ata kanë bojkotuar punën, ku kërkojnë kushte më të mira në punën e tyre dhe trajtim të drejtë.
Pjesë e protestës kanë qenë punëtorë të pozicioneve të ndryshme, si faturistë, inspektorë dhe hidraulikë, të cilët e kanë shprehur shqetësimin e tyre për abuzimet dhe vështirësitë që përballen çdo ditë në vendin e punës.
Sipas tyre, ata po detyrohen që të punojnë edhe gjatë fundjavave, duke shkelur në këtë mënyrë Kodin e Punës, pasi nuk kanë ditë pushimi.
Paga është një tjetër shqetësim i tyre, ku rroga mujore është 35 mijë Lekë të rinj për një pjesë të madhe të tyre, dhe siç shprehen nuk munden të jetojnë dot.
Sipas punonjësve: drejtori i ri u ka vendosur objektiva faturimi jashtë mundësive fizike për t’u realizuar; po detyrohen të punojnë edhe në fundjavë; rroga është 35 mijë lekë në muaj; veç leximit të sahateve detyrohen të bëjnë korrierin për shpërndarjen e faturave; dhe kërcënohen me heqje nga puna kur kërkojnë të drejtat e tyre.