Investimi i Jader Kushner në ishullin e Sazanit, ku planifikon që të ndërojë resorte luksoze, duket shumë afër. Në mbledhjen e Komitetit të Investimeve Strategjike të zhvilluar në 30 dhjetor 2024, Kryeministri Edi Rama dhe anëtarët e këtij organizmi kanë votuar pro dhënies së statusit investitor strategjik për dhëndërin e Presidentit të zgjedhur të SHBA, Donald Trump.
Nga dokumenti i bërë publik nga Komiteti i Investimeve Strategjike sqaron se është pranuar propozimi i kompanisë Atlantic Incubation Partners LLC dhe i jep asaj status të investitorit strategjik me procedurë të veçantë.
Referuar vendimit në ishull parashikohet një investim prej 1.4 miliardë eurosh dhe ndërtimi parashikohet të shtrihet në 8 për qind të ishullit ose 45 hektarë.
“Projekti i investimit i plotëson kriteret e punësimit të kërkuara nga legjislacioni për investimet strategjike. Përgjatë fazës së realizimit të investimit dhe operimit, numri i personave të punësuar parashikohet të jetë 1,000 (një mijë) persona; Projekti i investimit propozohet si një projekt i integruar me marinë turistike si dhe struktura akomoduese elitare, rezidenca me standard të lartë, zona gastronomike, zona rekreacionale me shërbime në funksion të tyre. Projekti i investimit synohet të zhvillohet në ishullin e Sazanit, Bashkia Vlorë, i cili ka një sipërfaqe totale prej 562 ha dhe me një sipërfaqe ndërtimi prej 45 ha”, citohet në vendim.
Më tej në vendim sqarohet se projekti do të jetë i ndarë në tre faza, ku përfshihet ndërtimi i strukturave akomoduese turistike të brandeve ndërkombëtare, njësive rezidenciale, zonave gastronomike brenda një sipërfaqeje prej 45 ha.
“Projekti i investimit synon gjithashtu në përmirësimin dhe riparimin e marinës aktuale duke përfshirë zgjerimin e hapësirës së dokimit, përmirësimin e vendndodhjes së molit të tragetit dhe ankorimin e trageteve të Ishullit të Sazanit, në Bashkinë Vlorë”, shtohet në vendimin e KIS.
Me miratimin e statusit, kompania e lidhur me Jared Kushner, do duhet të negociojë një kontratë me kompaninë publike Korporata e Investimeve Strategjike, ndërsa një sërë institucionesh shtetërore, përfshi ministritë e Infrastrukturës, Mbrojtjes, Mjedisit, Ekonomisë vihen në dispozicion të kompanisë për të transferuar pronën dhe përgatitur dokumentacionin për lehtësim të punimeve.
Miratimi i kërkesës së dhëndërit të Donald Trump ishte i pritshëm, pasi shteti shqiptar ishte vënë në lëvizje më herët për të lehtësuar procedurat. Në fillim të dhjetorit 2024, prona që ishte pjesë e planit të vendosjes së Forcave të Armatosura u hoq nga lista prej Presidentit të Republikës.
“Referuar dekretit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë Nr. 398, datë 02.12.2024, “Për miratimin e disa shtesave dhe ndryshimeve në planin e vendosjes dhe përhapjes së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, miratuar me dekretin Nr. 8593, datë 17.06.2024, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë”, rezulton që struktura “Rajon stërvitje dhe qitje detare Sazan, Vlorë”, del jashtë Planit të Vendosjes dhe Përhapjes së Forcave të Armatosura”, sqarohet në dokument.
Planet për ndërtimin e një resorti turistik luksoz në Sazan dhe një tjetri në Zvërnec nga Kushner dhe kompanitë e lidhura me të, u bënë publike në fillim të vitit që shkoi dhe kryeministri Edi Rama foli hapur në favor të tyre ndërsa i tha Nju Jork Times.
Planet dhe aprovimi apriori i qeverisë shqiptare u kritikuan nga opozita se po bëheshin për të përfituar favore politike në rast të rizgjedhjes së Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë dhe mungesës së transparencës e garës.